E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Shtetësi shqiptare për çdo shqiptar kudo në botë

04-12-2012 / Gazeta 55

Në Muzeun e Vlorës, në vendin ku 100 vjet më parë, Ismail Qemali mblodhi të parin kabinet qeveritar të Shqipërisë, kryeministri Berisha ka mbledhur ministrat në një takim solemn. Duke vlerësuar arritjet e vendit në këto 20 vjet, ai ka shpallur emergjencën e dhënies së shtetësisë për çdo shqiptar, kudo ku ai jeton, si mënyra më e shpejtë për të bërë realitet aspiratën “të bashkohemi me njëri-tjetrin, të bashkohemi me Europën


Qeveria shqiptare zhvilloi mbledhjen e radhës sot në qytetin e Vlorës. Kjo për të nderuar qeverinë shqiptare të krijuar në vitin 1912. Në këtë mbledhje solemne në sallën ku Ismail Qemali mblodhi kabinetin e tij të parë, Kryeministri Berisha shprehu mirënjohje të thellë për të gjithë shqiptarët dhe miqtë e Shqipërisë për atmosferën që i dhanë në 100 vjetorin e Pavarësisë. Që në fillim të fjalës së tij, kreu i qeverisë, risolli në kujtësë momentet e krijimit të kabinetit qeveritar të drejtuar nga Ismail Qemali, nga emërimi i tij nga Kuvendi, si Kryeministër, e në përzgjedhjen e ministrave të tij. “Mirënjohje të thellë për qytetarët e Vlorës dhe të Tiranës, të cilët me atdhetarinë e tyre me mikpritjen e shndërruan 28 nëntorin e 100 vjetorit të Pavarësisë në ftesën më të bukur më të madhe. Kurrë ndonjëherë në histori e tyre Tirana dhe Vlora nuk kanë pasur një prani kaq masive, e gjigante qytetarësh të ardhura nga të gjitha trevat shqiptare. Mirënjohje të thellë u shkon miqve nga e gjithë bota që nderuan Shqipërinë në 100 vjetorin e Pavarësisë së tyre”, u shpreh Berisha, gjatë fjalës së tij. Po në këtë linjë, Kryeministri rikujtoi pjesëmarrjen e miqve dhe partnerëve ndërkombëtare në përvjetorët e kaluar. “Kur u festua 25 vjetori vetëm një ministër i huaj, në 50 vjetor një ambasador. Kur u festua 75 asnjë i pranishëm. Ndërsa kur u festua 100 vjetori i Pavarësisë morën pjesë 57 delegacione të huaja, 12 institucione ndërkombëtare, në paradën e ushtrisë ishin të pranishëm përfaqësues të vendeve anëtare të NATO. Miqtë e nderun shumë Shqipërinë”, nënvizoi Berisha. Sipas kreut të ekzekutivit, pas 100 vitesh, sot shqiptarë janë të lirë, por sërish jetojnë në 5 shtete. Ndaj në vlerësimin e Kryeministrit, platforma të bashkuar me njërit tjetrin në Europë i jep përgjigjen në mënyrë përfundimtare çështjes shqiptare në Ballkan. “Shqiptarët janë të ndarë në 5 shtete, por ata janë të përkushtuar në projektin e integrimit europian, si e ardhmja e tyre më e shkëlqyer. Por edhe pse të ndarë në disa shtete shqiptarët nuk munden të mos e konsiderojnë njëri tjetrin vëllezër dhe ky është realiteti. Ndaj dalin një sëri detyrash që të ecet më platformën, të bashkohenmi me njëritjetrin, të bashkohemi me Europën. Asnjë nuk mund të mohojë padrejtësinë ndaj shqiptarëve, u coptuan në 5 shtete, në copëtmin më flagrant për caktimin e kufijve. U vërsulën mbi këtë komb me projektet nga më të zezat. Ismail Qemali u detyrua të largohet nga Shqipëria. Ai po punonte për idealin e shqiptarëve, bashkimin e trojeve. Shqipërinë e shpëtoi nga copëtimi i mëtejshëm Presidenti Uillson”, deklaroi Berisha. Në këtë këndvështrim, kreu i mazhorancës qeverisëse anonçoi dhe nismën më të fundit të qeverisë së tij atë të hartimit të një ligji për të bërë të mundur marrjen e shtetësisë shqiptare për çdo shqiptar kudo që ata jetojnë. “Qeveria do të hartojë ligjin për shtetësinë shqiptare për të gjithë shqiptarët kudo që janë. Kjo do jetë nisma në  100 vjetorin e Pavarësisë. Ftoj opozitën që e frymëzuar nga ky përvjetor të miratojë ligjin. Edhe pse jemi në një vit të rëndësishëm elektoral, ky ligj vjen në këtë moment për t’i dhënë mundësinë të gjithë shqiptarëve që duan këtë shtetësi të mund ta marrin atë.  Njohja pa kushte të shtetësisë shqiptare për çdo shqiptar kudo që ndodhet. Ky është mesazhi për këtë 100 vjetor. Duke kthyer një të drejtë për të cilën ka 100 vjet që luftojnë”, vuri në dukje Berisha.  Por duke përjashtuar çdo mundësi për njollosjen e procesit zgjedhor, Kryeministri Berisha bëri me dije se ky ligj do të hyjë në fuqi pas zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit 2013. Gjithashtu, kreu i qeverisë kërkoi mirëkuptimin e fqinjëve dhe të faktorit ndërkombëtar për një nismë të tillë. “Çështja shqiptare është sërish një çështje, megjithë ndryshimet thelbësore që ka, por ka një albanofobi ndaj shqiptarëve, e cila do të mund të zhduket vetëm përmes procesit të bashkimit të shqiptarëve. Kjo nuk mund të zhduket përmes “status quove”, por vetëm me bashkim”, deklaroi ai. Në funksion të këtij procesi, pra të bashkimit të shqiptarëve në Europë, shefi i ekzekutivit ftoi opozitën të votojë 3 ligjet në Kuvend, me qëllim që të realizohet kjo reformë madhore për Shqipërinë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›