E Diel, 1 Nëntor 2026

100 vjetori Pavarësisë, në një nga sheshet e Budapestit do të vendoset statuja e Gjergj Kastriot Skënderbeut

08-12-2011 / Gazeta 55

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, takon homologun hungarez


Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, në kuadër të vizitës së saj në Budapest, u prit të mërkurën nga kryeparlamentari hungarez, Laszlo Kover. Duke i vlerësuar "të shkëlqyera" marrëdhëniet dypalëshe, dy homologët diskutuan mbi aktivitetet e përbashkëta që do të organizohen vitin e ardhshëm në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, ngjarje kjo që përkon dhe me 90 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike Hungari-Shqipëri. Kryeparlamentari hungarez tha se në kuadër të këtyre dy ngjarjeve në një nga sheshet kryesore të Budapestit do të vendoset statuja e Gjergj Kastriot Skënderbeut. "Bashkëpunimi parlamentar mes Hungarisë, Francës dhe Shqipërisë, përmes projektit IPA, i inicuar nga Jozefina Topalli, jam i sigurt se do të jetë një projekt i suksesshëm, që do të afrojë edhe më shumë Shqipërinë me Bashkimin Europian", tha Kover. Kjo linjë politike dhe diplomatike, e përforcuar nga autoritetet hungareze, kryeministri Orban dhe presidenti Schmitt u theksua edhe nga homologu hungarez i kryetares Topalli. Në shenjë nderimi për Shqipërinë, Kover kryetari i Parlamentit të Hungarisë shprehu ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Leka Zogut I, në Librin e Zisë hapur në ambasadën shqiptare në Budapest. Mbretëresha Geraldinë ishte hungareze dhe, ashtu siç ishte një grua për të cilën shqiptarët krenohen, ajo vjen nga një familje shumë fisnike e Hungarisë. Ajo e deshi shumë Shqipërinë dhe shqiptarët. Kjo është një pikë tjetër e historisë që bashkon dy vendet dhe kombet tona. Parlamenti i Hungarisë dhe Kuvendi i Shqipërisë po punojnë për aktivitetet që do të organizohen në vitin e përvjetorit të madh të vitit 2012. Në fillim të vitit të ardhshëm do organizohet ceremonia e nisjes së projektit IPA, midis Hungarisë, Francës dhe Parlamentit shqiptar. Kryetarja Topalli e falënderoi homologun hungarez për programin e shkëlqyer, për ngrohtësinë, miqësinë e sinqertë dhe mbështetjen e palëkundur që parlamenti i Hungarisë i ka dhënë Kuvendit shqiptar dhe Shqipërisë në ratifikimin e të gjitha marrëveshjeve, duke nisur nga MSA-ja, ratifikimi i Protokollit të NATO-s, heqja e vizave. Po ashtu, Hungaria është një vendet e para që njohu Pavarësinë e Kosovës.  Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli gjithmonë ka vlerësuar politikën e jashtme të Hungarisë ndaj Shqipërisë dhe vendeve të rajonit. Sot më shumë se asnjëherë, Hungaria dhe vendet e rajonit janë edhe më të ndërgjegjshme për domosdoshmërinë e  kooperimit, në mënyrë të veçantë në shkëmbimet tregtare, në investime dhe në terma ekonomikë në tërësi, si rruga e vetme për t’u mbrojtur nga kriza globale dhe për të mbrojtur ekonominë vendase. Në respekt të Shqipërisë, flamuri shqiptar për dy ditë rresht u valëvit në hyrjen kryesore të Parlamentit Hungarez dhe të Selisë së Presidencës Hungareze.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›