100-vjetori i KMSH-së, Begaj: Kontribut për pavarësinë e vendit dhe harmoninë me besimet e tjera fetare

Në 100-vjetorin e themelimit Komunitetit Mysliman Shqiptar, presidenti i vendit Bajram Begaj ka vlerësuar kontributin e bashkisë islame në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë dhe ruajtjen e harmonisë me besimet e tjera fetare në Shqipëri.
“Sot është rasti të rikujtojmë faktin se bashkësitë fetare, ndër to dhe Bashkësia Islame e Shqipërisë janë kontribuese të rëndësishme për Pavarësinë e Shqipërisë dhe gur konsolidues të shtetit Shqiptar.
Në veprimtarinë e tyre, ata u përkujdesën për ruajtjen e kohezionit social me besimet e tjera, të vetëdijshëm se ruajta e harmonisë brenda popullsisë me shumë besime në një shtet të ‘brishtë’, ishte domosdoshmëri jetike për kombin”, është shprehur Begaj.
Begaj vuri në dukje edhe angazhimin e këtij komuniteti në ndihmë të shtresave në nevojë.
“Një tjetër aspekt i rëndësishëm i angazhimit të këtij komuniteti, ndër vite, ka qenë ndihma e shtresave në nevojë, si një vepër që i afron më shumë me Zotin.
Rasti emblematik është ai i zotit Zyber Hallulli, Myfti dhe Kryetar i Bashkisë së Tiranës në vitet 1913-1914 që hapi strehën vorfnore, e cila edhe sot mban emrin e tij.
Si pjesë integrale e shoqërisë, klerikët, por edhe anëtarët e Komunitetit mysliman të Shqipërisë, kanë dëshmuar përgjegjësi të lartë për fatet e shoqërisë dhe të vendit”, ka theksuar Begaj.
Begaj tha se në këtë përvjetor duhen nderuar edhe klerikët myslimanë që u persekutuan nga regjimi komunist për shkak të besimit.
“Në këtë përvjetor e kemi detyrim moral dhe patriotik, të nderojmë kujtimin e atyre klerikëve myslimanë, një pjesë prej të cilëve themelues dhe drejtues të këtij institucioni që u persekutuan për shkak të ushtrimit të besimit, një e drejtë themelore njerëzore e mohuar nga regjimi diktatorial.
Klerikët myslimanë shqiptarë si Hafiz Ali Korca, Hafiz Abdullah Zemblaku, Hafiz Kraja, etj ishin qëndrestarë kundër diktaturës komuniste në vendin tonë”, tha presidenti Begaj.
Në 100-vjetorin e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ishin të pranishëm klerikë të besimeve të tjera fetare në vend si dhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.
/rtsh.al/