E Shtunë, 31 Tetor 2026

100-vjetori i Pavarësisë, Topi dekoron me Urdhrin e Flamurit Ismail Qemalin

Presidenti Topi me disa nga personalitetet e vlerësuara

VLORE- Në kuadrin e 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Kombëtare, Presidenti Bamir Topi dekoroi dje në Vlorë personalitete të historisë dhe të kulturës shqiptare. Në ceremoninë e djeshme ishte i pranishëm kryebashkiaku Gjika, deputetë të PS-së, si dhe kreu i KLSH-së, Bujar Leskaj. Ky i fundit kishte propozuar të shumtat e dekorimeve të Presidentit Topi në periudhën kur ai ka qenë ministër i Kulturës. Ndërsa deputetët dhe përfaqësues të së djathtës nuk ishin të pranishëm. Themeluesi i Pavarësisë, Ismail Qemali, u nderua me Urdhrin e Flamurit Kombëtar, dekoratën më të lartë të shtetit shqiptar me motivacionin: Për meritat e jashtëzakonshme historike dhe rolin vendimtar në të gjitha fazat e përgatitjes dhe shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, të krijimit dhe të drejtimit të shtetit të ri shqiptar; për cilësitë dhe aftësitë e rralla si ideolog kombëtar dhe udhëheqës i urtë, dijetar dhe diplomat i shquar, burrë shteti dhe politikan vizionar. Topi nënvizoi se në mandatin e tij Urdhri i Flamurit, që është Urdhri më i lartë, i jepet për herë të parë një personaliteti të tillë emblematik në historinë e Shqipërisë, themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemalit. Presidenti nderoi gjithashtu qytetin e Vlorës me Urdhrin Nderi i Kombit për rolin historik si qytet simbol i shpalljes së pavarësisë dhe krijimit të shtetit të ri shqiptar. Ndërsa i gjithë grupi i atdhetarëve firmëtarë të dokumentit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, u shpallën Nder i Kombit me motivacionin: Për meritat e tyre historike si figura të shquara të kombit dhe rolin e tyre madhor në krijimin dhe shpalljen e shtetit të lirë e të pavarur shqiptar, si finalizim i luftës dhe përpjekjeve të pareshtura të popullit liridashës shqiptar në rrjedhë të historisë. Po dje u nderuan edhe disa qytetarë të tjerë të Vlorës të profesioneve të ndryshme, të cilët kanë dhënë kontribute të vyera në historinë, artin dhe kulturën e vendit.

URDHRA E MEDALJE
Ismail Qemali u nderua me Urdhrin e Flamurit Kombëtar
Qyteti i Vlorës me Urdhrin Nderi i Kombit
Firmëtarët e dokumentit të Pavarësisë, Nder i Kombit
Hamza Isai, Urdhri Nderi i Kombit
Toto Bolena, Medalja e Artë e Shqiponjës
Musa Jonuzi, Medalja e Artë e Shqiponjës
Alem Mehmeti, Medalja e Artë e Shqiponjës
Isuf Luzaj, Urdhri Mjeshtër i Madh
Fatos Rrapaj, Urdhri Mjeshtër i Madh
Nestor Nepravishta, Urdhri Naim Frashëri i Artë
Zako Mustafaraj, Urdhrin Mjeshtër i Madh
Vilhelme Vranari Urdhri Mjeshtër i Madh,
Bujar Asqeriu, Urdhri Mjeshtër i Madh
Agron Dine, Urdhri Mjeshtër i Madh
Ago Nezha, Urdhri Mjeshtër i Madh
Bardhosh Gaçe, Urdhri Mjeshtër i Madh
Memisha Gjonzeneli, Urdhri Naim Frashëri i Artë
Mustafa Dedenika, Urdhri Naim Frashëri i Artë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›