100 vjetori, nisin aktivitetet, merr pjesë Basha
SHKUP- Kreu i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha do të jetë nesër në Maqedoni në komunën Çair, ku do tu bashkëngjitet manifestimeve që do të jenë në sheshin Skënderbejpër të përkujtuar vdekjen e heroit kombëtar, si dhe për të promovuar edhe fillimin e punimeve të rregullimit të sheshit.
Ky do të jetë edhe aktiviteti i parë, i cili do të shënojë edhe hapjen e festimeve për 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë për shqiptarët e Maqedonisë.
Siç njofton e përditshmja Koha, Këshilli Organizativ për shënimin e 100 vjetorit të Ditës së Flamurit dhe të Pavarësisë ka mbajtur sot takimin e parë.
Zëvendëskryeministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi me këtë rast tha se do të koordinohen aktivitetet për t’i grumbulluar idetë të cilat në mënyrë të veçantë logjistika e vetë Këshillit organizativ do t’i koordinojë dhe do t’i përzgjedhë që të ketë mundësi të definojë agjendë e cila do të respektohet gjatë tërë vitit.
Aktivitete do të zhvillohen në institucionet si, universitete, shoqatat e shkrimtarëve dhe shumë institucione të tjera nga pushteti lokal, me qëllim që të mos kufizohen aktivitetet.