Meta: Vendosëm standarte të reja në politikën dhe drejtësinë shqiptare
“Nuk ishte një fitore e Ilir Metës por një demostrim i pastër se në këtë vend e drejta dhe vërteta do të fitojnë gjithmonë mbi mashtrimin, montimin dhe shpifjen”. Kjo ka qenë deklarata e kreut të LSI-së Ilir Meta menjëherë pas vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila në mënyrë unanime pushoi çështjen ndaj tij. Për Metën ky vendim dëshmoi se shteti triumfoi mbi krimin e organizuar dhe se ky proces, pavarësisht sakrificave, vendosi standarte të reja në politikën dhe drejtësinë shqiptare.
“ Dua të shpreh respektin tim ndaj mediave, që për rreth një viti kanë qenë prezente. Ashtu sic kam konfirmuar para një viti edhe sot shpreh besimin tek drejtësia dhe ligji. Gjykata e Lartë në mënyrë unanime konfirmoi jo vetëm pafajësinë time, por e drejta fitoi mbi padrejtësinë dhe vërteta fitoi mbi mashtrimin, montimin dhe shpifjen. Vlerat morale do të triumfojnë, ligji do të triumfojë mbi krimin e organizuar. Ilir Meta dhe familja e tij ka pasur jo pak shqetësime të orkestruar nga krimi i organizuar, ishte një sakrificë që ja vlente për një standart të ri në drejtësinë dhe politikën shqiptare. Ne do të cmontojmë të gjitha ato hallka që janë marrë peng nga krimi i organizuar. Ligji do të fitojë mbi padrejtësinë dhe shteti do të fitojë mbi krimin e organizuar"-deklaroi ai.
Gjykata e Lartë ka pushuar çështjen ndaj Metës duke e shpallur të papajshëm. Kolegji penal i kësaj gjykate, i përbërë nga pesë gjyqtarë të pranishëm në séance ka dhënë vendimin final duke e bazuar pafajësinë e Metës në tre pika:
-Nuk provohet fakti se ekziston dicka e tillë
-Rrëzohen provat nga ana e Prokurorisë
-Të gjitha shpenzimet për gjithë procesin do ti kalojnë shtetit shqiptar
Akuza ndaj Ish-Zv.kryeministrit Ilir Meta u ngrit pas publikimit të video-përgjimit të realizuar nga ish ministri i Energjetikës Dritan Prifti në zyrën e këtij të fundit më 1 mars 2010.
Numërohen në më së shumti se 20 seanca gjyqësore rreth këtij procesi, të zhvilluara në një periudhë prej një viti, një maratonë e vërtetë gjyqësore.
Në seancën e kaluar prokuroria kërkoi dënimin me 2 vjet burg dhe 1 milionë lekë gjobë, ndaj Ilir Metës, pasi sipas saj provat vërtetojnë implikimin e Ilir Metës në afera korruptive.