105 vjeçe! E virgjër!
E virgjëra më e vjetër në Angli, e cila këtë fundjavë feston ditëlindjen e saj të 105- të, thotë se një jetë pa seks, është sekreti i jetëgjatësisë së saj. Që në moshën 12 vjeçare, ajo kuptoi se do të ngelej beqare dhe duke ditur këtë Clara Meadmore hoqi dorë nga jeta në çift dhe u përqendrua vetëm tek puna.
Ajo nuk ka bërë kurrë seks në jetën e saj, sepse ka qenë ‘shumë e zënë” për të pasur një lidhje intime, e cila i dukej më tepër si një “pengesë”.
Sot, në moshën 105 vjeçare, sekretarja e dalë në pension thotë se në vitet 1920 - ’30, seksi nënkuptonte martesën, pra seks mund të bëje vetëm me dikë që ishe martuar dhe ajo nuk e pranonte këtë ide.
“Njerëzit më kanë pyetur se mos vallë jam homoseksuale dhe përgjigja është jo, thjesht kurrë nuk kam qenë e interesuar, ose kurrë nuk më ka pëlqyer që të bëj seks - thotë Klara për tabloidin anglez “The Sun” që ka botuar dje historinë e saj jo të zakonshme.
“Mendoj se jeta seksuale të sjell shumë telashe dhe unë kam qenë gjithmonë e ngarkuar me punë të tjera. Kurrë nuk kam pasur të dashur dhe asnjëherë nuk e kam vrarë mendjen për të pasur një lidhje. Në kohën time, një vajzë mund të kryente marrëdhënie vetëm kur martohej dhe unë nuk u martova asnjëherë. Gjithmonë kam pasur marrëdhënie platonike me burrat, por asnjëherë nuk kam ndier nevojën për diçka më tepër se aq, apo për t’u martuar. Në moshën 12-vjeçare vendosa për të mos u martuar dhe asnjëherë nuk e mendova këtë gjë për së dyti”.
Por Clara nuk ishte vajzë që nuk kishte pasur kurrë propozime për martesë dhe megjithëse kishte plot “oferta” ajo i refuzoi.
“ Jam rritur në një kohë kur vajzat e vogla duhet të shikoheshin dhe jo të dëgjoheshin, kështu që m’u desh të mësoja se si të luftoja për veten time dhe se si të fitoja jetesën time - thotë ajo. Disa meshkujve nuk u pëlqen kjo iniciativë tek një femër dhe nuk u desh shumë kohë për të kuptuar që më kishte kaluar mosha për t’u martuar”.
Në vend qëtë kërkonte një burrë, Clara iu përkushtua leximit, kopshtarisë, shëtitjeve, gatimit dhe dëgjimit të stacionit të saj radiofonik të preferuar. -----------------------------------------------
Zbulohet “FIBRA - C”, ja pse na vjen mirë kur na përkëdhelin…
Fibra nervore që bën që t’i duam aq shumë përkëdheljet dhe përqafimet (ato të partnerit, miqve apo prindërve), është identifikuar për herë të parë nga një neuroshkencëtar, Francis McGlone. Gjatë Festivalit të Shkencës në Britani, kërkuesi ka shpjeguar këto ditë zbulimin e tij.
Përveç faktit që shkencërisht është shumë interesant, zbulimi mund të shërbejë për të eksperimentuar një mënyrë të re për të mjekuar dhimbjet kronike. Dhe kjo është terapia përmes përkëdheljeve.
Skuadra e kërkimit e McGlone ka përdorur një makinë “përkëdhelëse” shumë futuriste për të hequr dhimbjen. Shpejtësia dhe presioni ideal bëjnë që të arrihet kënaqësi maksimale. Me qëllim që të izolojnë nervin e ndjeshëm ndaj prekjeve, u është kërkuar disa vullnetarëve të tregonin se sa ishin të kënaqshme përkëdheljet, të bëra nga makina me ritme të ndryshme. Pas kësaj, atyre që morën pjesë në eksperiment u janë vënë elektroda në lëkurë, për të regjistruar mbarëvajtjen e sinjaleve nervore që kalonin nga lëkura në tru.
Duke krahasuar sinjalet që korrespondonin me përkëdheljet e përshkruara si më të mirat tek “kavjet njerëzore”, shkencëtari ka mundur të dallojë një tufë nervash të quajtura “Fibra - C”. Lëvizjet përkëdhelëse të dorës në lëkurë, sipas kërkuesit, aktivizojnë këto fibra që janë të lidhura drejtpërdrejt me një sistem mirëqenieje në tru, gjë e cila bën të çlirohen hormone që janë burim ndjenjash shumë të mira.
Eksperti specifikon që këto nerva nuk ndodhen tek organet seksuale, (sepse ato kanë fibra dhe nerva më komplekse se kaq), as në pëllëmbën e dorës apo në shputat e këmbëve. Nëse doni të dini si dhe sa ta përkëdhelni partnerin në mënyrën më të mirë, duhet të dini që duhet ta kaloni dorën në trup me një presion 2 gramë, duke prekur 5 centimetër lëkurë në sekondë.