E Diel, 1 Nëntor 2026

11 kampionatet Europiane të Shqipërisë



Me ndeshjen kundër Bjellorusisë, e pesta në radhë, më 26 mars 2011, Shqipëria do të rinisë eliminatoret e Kampionatit Europian të viti 2012, por më përpara Kombëtarja e drejtuar nga Josip Kuzhesë, do të zhvillojë një test ngrohës, atë kundër Sllovenisë, më 9 shkurt 2011. Kjo është hera e 11-të, që Shqipëria merr pjesë në eliminatoret e një Kampionati Europian, pavarësisht se ai i Euro 2012 është i 14-ti për nga radha, kjo pasi në tre fushata kualifikuese: 1960, 1976 dhe 1980, Kombëtarja jonë (për arsye të ndryshme, edhe politike) nuk ka marrë pjesë. Shqipëria ka luajtur kundër 27 ekipeve kundërshtare. Nga 77 ndeshje të zhvilluara, Shqipëria ka mundur të fitojë vetëm 11 prej tyre. 19 takime janë mbyllur në barazim, ndërkohë që kemi humbur 47 ndeshje. Shqipëria ka shënuar 58 gola, ndërsa ka pësuar 144 gola. (Në eliminatoret e Botërorëve, Shqipëria ka këtë bilanc: 83 ndeshje; 11 fitore, 11 barazime, 62 humbje). Gazeta “Albania” publikon një speciale mbi të gjitha pjesëmarrjet e Shqipërisë në Kampionatet Europiane, duke ofruar statistika, rezultate dhe kuriozitete.

EURO 1964
Pas “pushimit” në eliminatoret e Euro 1960-s, Kampionati i parë Europianë, aventura e Shqipërisë në eliminatoret e një Europiani, atë Euro 1964, filloi në mënyrë disi të pazakontë. Në fakt, Shqipërisë i kishte rënë shorti për të luajtur në turin e parë kundër Greqisë (me takimin e parë në Athinë), por për shkak të “Ligjit të Luftës”, që ekzistonte atëherë midis dy vendeve (ende i pa shfuqizuar nga parlamenti grek), skuadra helene nuk pranoi të luante kundër nesh. Shqipëria kaloi direkt në turin e dytë kualifikues. Kundërshtari i saj ishte Danimarka. Humbi 4-0 në takimin e parë në Kopenhagen, por fitoi 1-0 në ndeshjen e kthimit në Tiranë. Një rezultat i përgjithshëm 1-4, çka solli edhe eliminimin përfundimtar të Shqipërisë.

EURO 1968
Për Shqipërinë, Euro 1968, do të kujtohet si një nga kulmet e futbollit shqiptar. Kombëtarja jonë bënte pjesë pikërisht në grupin 4, i vetmi me tre ekipe, kur shtatë të tjerë ishin të gjithë me katër. Përballë kombëtares sonë dy kundërshtarë të mëdhenj: Gjermania, kampione botës në vitin 1954 dhe Jugosllavia, që do të mbërrinte më pas deri në finalen e Euro 1968. Në katër ndeshje nuk arritëm të shënonim asnjëherë, teksa pësuam 12 gola. Por, pikërisht në këto eliminatore është arritur edhe një nga rezultatet më të mëdha të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, i cili solli edhe fundin e aventurës një kolosi si Gjermania në kualifikueset e Euro 1968. Është pikërisht barazimi i vetëm i Shqipërisë në 14 takime të luajtura historike me Gjermaninë, në debutimin e saj të parë në një Kampionat Europian. Një barazim 0-0 në Tiranë, si hakmarrje e asaj humbje poshtëruese 6-0 në Dortmund, pikërisht në ndeshjen hapëse eliminatore të turneut e ku, Gerd Myleri i famshëm, 7-herë golashënuesi më i mirë i Gjermanisë, 1-herë i Botërorit 1970 dhe 1-herë i Europianit 1972, në debutimin e tij me fanellën e Gjermanisë na shënoi jo pak, por 4 gola. Jugosllavia, të cilës i kishim hequr nga duart titullin e Ballkanit në vitin 1946, na mposhti dy herë: 2-0 në Tiranë dhe dyfishin në Beograd, 4-0.

EURO 1972
Shqipëria e Loro Boriçit ishte në eksperiencën e tretë në Europian. Në grupin e 8-të kishte kundërshtar për herë të dytë Gjermaninë, Poloninë dhe Turqinë. Eliminatoret nisën me një humbje 3-0 me Poloninë (në Korzou, më 14 tetor 1970), për të vazhduar me një të dytë me Turqinë (2-1 më Stamboll, gol i Astrit Ziut për Shqipërinë). Më pas, erdhi humbja 0-1 në Tiranë me Gjermaninë, gol i të zakonshmit Gerd Myler (38’), i pasuar nga një barazim 1-1 me Poloninë, ku golit të polakut Banas (7’), iu kundërpërgjigj Zhega (32’). Pas humbjes 2-0 kundër Gjermanisë, në Karslruhe, Shqipëria sigloi fitoren e bujshme 3-0 kundër Turqisë, më 14 nëntor 1971: golat mbajnë firmat e Ilir Përnaskës (2) dhe Panos. Një fitore që i mbylli me nder edhe eliminatoret e këtij Europiani, pavarësisht se u renditëm në vendin e fundit.

EURO 1984
Pas vetizolimit ndërkombëtar dhe dy kampionateve pa marrë pjesë (Euro 1976 dhe 1980), Shqipëria e drejtuar nga Shyqyri Rreli dhe me lojtarë të tillë si Luarasi, Haxhi Ballgjini, Vukatana, Bajaziti, Muça e Zëri, e nisi me një humbje të hidhur 5-0 me Austrinë në Vjenë (22 shtator 1982). Udhëtimi në Izmir u mbyll me humbjen 1-0 kundër Turqisë vendase (Kocabiyik shënoi në minutën e 86-të). Por, rikthimi në Tiranë u shoqërua me një 0-0 ndaj Irlandës së Veriut (15 dhjetor 1982), e që rezultoi fatal për irlandezoveriorët, pasi u renditën të dytët në grup, edhe pse kishin pikë të barabarta me Gjermaninë, por me golaverazh me të dobët. 30 marsi solli në Tiranë, Gjermaninë, nënkampione të botës, e midis lojtarëve ishte edhe Hans-Peter Brigeli, i cili në dhjetor të vitit 2002, do të bëhej as më pak dhe as më shumë, por trajneri i Kombëtares shqiptare, madje duke vendosur 11 rekorde absolute me përfaqësuesen tonë, përfshirë dhe rekordin e pikëve të grumbulluara në një edicion: 13 (për Botërorin e vitit 2006). Fëler dhe Rumenige (penallti) shënojnë përpara se Muhedin Targaj të shënojë (me penallti) golin e nderit për Shqipërinë. Udhëtimi drejt Irlandës solli humbjen 1-0, por ndaj Turqisë në Tiranë, formacioni i ideuar nga Rreli barazoi 1-1 (11 maj 1983), një autogol i Rashit Çetiner i dha barazimin Shqipërisë. Sa për detaj: në atë ndeshje për Turqinë luajti edhe kapiteni Fatih Terim, i cili në Euro 2008, ishte trajneri i saj. Me Austrinë humbasim 2-1 në Tiranë, dhe me po këtë rezultat me Gjermaninë në Sarbruken. Dhe mendoni, Genc Tomori, në të vetmen ndeshje të tij me Kombëtaren i bën të gjitha: gol në të 23’ (1-0 për Shqipërinë) dhe karton i kuq në të 48’ (kur rezultati ishte 1-1). Të fundit në grup, por me dy barazime e gjashtë humbje.

EURO 1988
Kombëtarja ju besua Agron Sulajt, i specializuare në Koverçano të Italisë. Fushata nisi me humbjen 3-0 kundër Austrisë, në Graz (15 tetor 1986): Andres Ogris, Anton Polster dhe Manfred Lincmajer janë “ekzekutorët” e Shqipërisë të përbërë nga katër lojtarë të Flamurtarit, të cilët kishin përballuar në atë kohë Barcelonën e famshme, me dy barazime 1-1 dhe 0-0. Shkëlqim Muça befasoi Spanjën në versionin “Real Madrid”, me golin e tij hapës në humbjen 1-2 të Shqipërisë (për spanjollët realizuan më pas Arteche dhe Alonso). Vijoi më pas një humbje e thellë 5-1 në Bukuresht me Rumaninë, dhe po një tjetër 1-0 me Austrinë në Tiranë. Me Rumaninë humbasim 1-0 në Vlorë, përpara se të shkatërrohemi në Spanjë: 5-0, më 18 nëntor 1987, në Sevilja. 24-vjeçare Hoze Bakero na shënoi 3 gola. Gjashtë ndeshje, asnjë pikë. E turpshme.

EURO 1992
“Suedi 1992” nën drejtimin e Bejkush Birçes nisi me humbjen 2-0 kundër Islandës në Rejkavik (30 maj 1990). Në Tiranë, nën drejtimin e Agron Sulajt humbasim 1-0 me Francën që ka për trajner Mishel Platininë, por humbja që vijon sërish në Sevilja të Spanjës është më e rënda në një ndeshje zyrtare: 9-0 në “Benito Villamarin”. Rrebeshi spanjoll nis me golin në minutën e 19-të me mbrojtësin Guijermo Amor Martinez dhe përfundon në minutën e 87-të me zëvendësuesin Hoze Maria Bakero. Katër gola në portën e mbrojtur nga Anesti Arapi i Flamurtarit i përkasin Emiljo Butraguenjos. Me Spanjën u zhvillua vetëm një ndeshje, pasi ajo në Tiranë për shkak të ndryshimit të sistemi nuk u luajt. Më pas vjen dushi 5-0 i Francës në Paris (Kombëtarja drejtohej sërish nga Birçe) dhe i Çekosllovakisë, 2-0 në Tiranë. 5 humbje rresht, 15 gola të pësuar, asnjë i shënuar. Pikërisht, më 26 maj të vitit 1991 vjen edhe fitorja e parë dhe e vetme në këto eliminatore: 1-0 kundër Islandës. Vendos goli i Edmond Abazit në minutën e 56-të. Pas kësaj fitoreje, eliminatoret u mbyllën me humbjen kundër Çekosllovakisë në Olomouc: 2-1. Zmijani është autori i golit të Shqipërisë. E veçanta e këtyre eliminatoreve: para ndeshjes kundër Francës u arratisën tre futbollistë, Kaçaçi, Ibro dhe Leskaj, ndërsa pas saj edhe katër të tjerë, Kepa, Gjergji, Suka dhe Rudi Vata.

EURO 1996
“Angli 1996”. Kombëtarja drejtohet nga Neptun Bajko. Eliminatoret nisën me e përfunduan me ndeshjet kundër Uellsit: një humbje 2-0 më Kardif (7 shtator 1994) dhe një barazim 1-1 në Tiranë (15 nëntor 1995, gol i Sokol Kushtës me penallti, në të 5’). Gjermania na mundi dy herë 2-1: në Tiranë dhe Kaiserslautern (dhe po kështu Gjerorgjia). Por, në këto eliminatore, Shqipëria regjistroi për herë të parë dy fitore, dhe ndaj të njëjtit kundërshtar: Moldavisë. 3-0 në Tiranë me dy golat e realizuar nga Sokol Kushta (31’ e 80’) dhe golin e mbrojtësit Salvador Kaçaj (41’). Në Kishinau (7 qershor 1995), është Rudi Vata (71’) ai që firmosi golin e 3-2 për Shqipërinë, kur më parë kishin shënuar Sokol Kushta dhe Arjan Bellaj. Kjo ishte fitorja e parë e Shqipërisë në një ndeshje në transfertë. Në këto eliminatore spikat dhe barazimi 1-1 kundër Bullgarisë në Tiranë (goli të Hristo Stojçkovit, ju kundërpërgjigj Altin Rraklli).

EURO 2000
Është epoka “Astrit Hafizi”. Mund të konsiderohen edhe si eliminatoret e barazimeve për Shqipërinë: 4 të tilla në 10 ndeshje. Nisi keq me humbjen 1-0 me Gjeorgjinë në Tbilisi, por më pas tri barazime bindëse radhazi: 2-2 me Norvegjinë në Oslo (2-0 për Shqipërinë, pas golave të Bushit dhe Tares, e më pas 2-2), 0-0 me Greqinë në Tiranë dhe 0-0 me Letoninë në Riga. Me Norvegjinë humbasim 2-1 në “Qemal Stafa” (gol i Tares), për të vazhduar me dy humbje të tjera rresht me Slloveninë (1-0 në Tiranë, 2-0 në Lubjana). Barazimi spektakolar 3-3 me Letoninë (2 gola Bushi, një gol Devi Muka, pikërisht në minutën e fundit). Pas humbjes 2-0 me Greqinë në Athinë (6 tetor 1999), pas tri ditësh fitojmë në Tiranë 2-1 me Gjeorgjinë: golat nga Altin Rraklli dhe Bledar Kola, që bënë të pavlefshëm golin e gjeorgjianit Shota Arveladxe.

EURO 2004
Një ndryshim i madh në historinë e bankinave shqiptare. Drejtojnë italiani Xhuzepe Dosena (2 ndeshje) dhe gjermani Hans Peter Brigel (6 ndeshje). Gjithçka nisi me barazimin 1-1 kundër Zvicrës në Tiranë (12 tetor 2002, gol i Edvin Muratit), por pas humbjes 4-1 me Rusinë katër ditë më pas në Volgograd (gol i Klodian Duros), italiani Dosena e braktisi në mënyrë të papritur Shqipërinë. Pasuesi i tij, gjermani Hans-Peter Brigel e nisi me një fitore të bujshme 3-1 kundër Rusisë në Shkodër, më 29 mars të vitit 2003: Altin Rraklli, Altin Lala dhe Igli Tare, bënë të pavlefshëm golin e realizuar nga rusi Andrej Karayka. Një debutim ëndrrash për Brigelin, një hakmarrje madhështore ndaj Rusisë të drejtuar nga rusi i famshëm Valeri Gazajev. Shqipëria barazoi 0-0 me Irlandën në Tiranë, por humbi 2-1 në Dublin me një autogol të Adrian Aliajt në minutën e 91-të (golin e Shqipërisë e shënoi Ervin Skela (një minutë pasi Robi Kin kishte realizuar për Irlandën). Portieri Strakosha, i dëmtuar në atë takim, u zëvendësua në minutën e 79-të nga Arjan Beqaj. Ndaj Zvivrës në Gjeneve, Shqipëria humbi 3-2 (gola të Lalës dhe Skelës, 11-m). Pas hmbjes 3-0 me Gjeorgjinë në Tbilisi (më 6 shtator 2003), katër ditë më pas në “Qemal Stafa”, Shqipëria fitoi 3-1. Dy fitore, katër barazime dhe katër humbje: 13 pikë, një rekord ende i pathyer për Shqipërinë.

EURO 2008
Në bankinë Shqipëria ka kroatin Oto Bariç, një prej trajnerëve më të njohur në Europë. Eliminatoret nisën me barazimin 2-2 me Bjellorusinë në Minsk (golat nga Skela dhe Hasi). Shqipëria humbi 2-0 në Tiranë me Rumaninë, me gafën e Bekim Kastratit dhe (Dika dhe Mutu, me penallti realizuan për rumunët). Pas humbjes 2-1 në Amsterdam me Holandën (gol i Debatik Currit), erdhën dy barazime resht 0-0: me Slloveninë në Shkodër dhe Bullgarinë në Sofje. Dy fitore me Luksemburgun: 2-0 në Tiranë dhe 3-0 në Luksemburg (protagonist është Edmond Kapllani me 3 gola në 2 ndeshje), një humbje 1-0 e minutës së fundit me Holandën në “Qemal Stafa” (Van Nistelroi në të 91’) dhe sërish dy barazime rresht me Slloveninë (0-0, në Celje) dhe 1-1 me Bullgarinë (1-1, në Tiranë), krijuan përshtypjen e një fundi me dinjitet të eliminatoreve. Por, humbja 4-2 me Bjellorusinë në “Qemal Stafa” dhe 6-1 me Rumaninë në Bukuresht (me Oto Bariçin të pezulluar në të dyja ndeshjet), krijuan një rrëmujë të vërtetë, me akuza dhe kundërpërgjigje për shitje dhe fiksim të rezultatit, madje dhe nga kryeministri Sali Berisha e ish-ministri Pango.

EURO 2012
Në qytetin e vogël Pietra-Meant, në ndeshjen e parë kundër Rumanisë, Kombëtarja shqiptare nën drejtimin e kroatit Josip Kuzhe, barazoi 1-1 me Rumaninë, me një gol të mrekullueshëm të realizuar nga zëvendësuesi Gjergji Muzaka, pesë minuta nga përfundimit i ndeshjes. Kundër Luksemburgut fituam 1-0 (gol i Hamdi Salihit) dhe ndaj Bosnjës (1-1, gol i Klodian Duros), dt takime këto në Tiranë, por kundër boshnjakëve në bankinë ishte ndihmësi i Kuzhesë, boshnjaku Xhemal Mustedanagiç, pasi Josipi ishte shtruar në spital pasi kishte pësuar hemoragji cerebrale. Gjithsesi, Shqipëria mori vendin e parë në grup, një gjë që nuk shumë shpesh, duke marë parasysh faktin se në këtë grup janë edhe Franca, Rumania, Bosnja, Bjellorusia dhe Luksemburgu. Edhe në ndeshjen kundër Bjellorusisë, Kuzheja mungoi në Minsk, ndërkohë që pësuam edhe humbjen e parë (2-0) në katër ndeshjet e para zyrtare. Eliminatoret rifillojnë, më 26 mars 2011, pikërisht me ndeshjen kundër Bjellorusisë në “Qemal Stafa”, por me një test ngrohës, ai kundër Sllovenisë, më 9 shkurt 2011.

KALENDARI I NDESHJEVE

3 shtator 2010
Rumani-Shqipëri 1-1

7 shtator 2010
Shqipëri-Luksemburg 1-0

9 tetor 2010
Shqipëri-Bosnjë 1-1

13 tetor 2010
Bjellorusi-Shqipëri 2-0

26 mars 2011
Shqipëri–Bjellorusi

8 qershor 2011
Bosnjë-Shqipëri

3 shtator 2011
Shqipëri-Francë

7 shtator 2011
Luksemburg-Shqipëri

8 tetor 2011
Francë–Shqipëri

12 tetor 2011
Shqipëri-Rumani

RENDITJA
1. Franca 12
2 Bosnja 9
3. Shqipëria 5
4. Bjellorusia 4
5. Rumania 2
6. Luksemburgu 1

SHQIPËRIA NË
ELIMINSTORET E EUROPIANËVE
Kompeticioni Nde. Fit. Bar. Hum. Pikë
Euro 2012 4 1 2 1 5*
Euro 2008 12 2 5 5 11
Euro 2004 8 2 4 4 8
Euro 2000 10 1 4 5 7
Euro 1996 10 2 2 6 8
Euro 1992 7 1 0 6 3
Euro 1988 6 0 0 6 0
Euro 1984 8 0 2 6 2
Euro 1980 Nuk morëm pjesë
Euro 1976 Nuk morëm pjesë
Euro 1972 6 1 1 4 4
Euro 1968 4 0 1 3 1
Euro 1964 2 1 0 1 3
Euro 1960 Nuk morëm pjesë
* Janë zhvilluar vetëm 4 nga 10 ndeshjet

17 Janar 2011

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›