Mimoza dhe, sa shumë si ajo…
Adelina Marku
Mimoza P. ishte studente në një Universitet të Budapestit ku vazhdonte rrugëtimin e saj shkollor e ku përgatiste një tezë kërkimi shkencor në studimet gjinore. Atë ditë kur e lamë të takohemi bashkë, gjeta veten të isha shumë kurioze që të di më shumë për studimet e saja atje, në një vend të huaj e shumë larg nga Dibra (prej ku ishte Moza) si dhe për kuriozitetin ndaj kësaj lëmie;…Dhe Moza mu shfaq tek më priste e ulur në një kafeteri të Shkupit, e veshur shumë modeste, me lap-topin e diktafonin përmbi tavolinë. ǒpamje …Ndryshe!
“Sa e re…!”, – mohuese ndaj vetes, si gjithmonë dëgjova të më dalë një zëth a ofshamë diku nga brenda! Vërtet Mimoza ishte e re, ambicioze, e bukur…Për më shumë, Mimoza ishte Idealiste. Si ti qasesha Mozës! Me pragmatizmin e moshës e përvojës mbi idealizmin tim të dikurshëm dhe të sajin sot? Apo me dhënien hapësirë sfidës së saj, idealizmit, si të vetmin mjet që shihja t’ia gjeneronte fuqinë krijuese? Doemos që zgjodha këtë të dytën. Mimoza ishte aq kërkonjëse ndaj njohjes së vetes sa, herët ose vonë, do të kuptonte kontekstin e saj individual në kontekstin më të gjerë shoqëror dhe besoj do gjente balancën e punës së saj.
Do bënte një kërkim mbi rolin e gruas shqiptare në kohë konflikti a krize dhe kishte marrë për studim Maqedoninë, Kosovën dhe Shqipërinë. Ajo çka mësë shumti e gëzonte Mimozën ishte se nga bashkëbisedueset kishte mësuar shumë gjëra të reja. Ajo kishte një Ide, një pothuajse më shumë se vetëm IDE, pra kishte, një si të thuash, - një si Pritje Ndryshe nga aktivizmi i gruas shqiptare në shoqëri; qoftë në familje, qoftë në institucione e politikë e qoftë në lëvizjen joqeveritare.
Dhe Mimoza kishte shumë të drejtë të synonte të godasë një pritje të tillë! E kur në bisedë hapëm shtigjet e harruara të rolit të gruas shqiptare këtu në Maqedoni, shihja te idealistja e re përmbushjen e kërshërisë së saj, por edhe dëshpërimin se përse kaq pak flasim për këtë gjë sot! Ajo dëshironte të konstatojë vazhdimësinë e prezencës së shqiptares në kuvendet e rënda historike të shqiptarisë. Gjeta veten me aq shumë për ti folur Mozës, por mbi të gjitha, - ndava tre etapat që mbollën paqë dhe vëmendje e që vulosën faktin dhe të vërtetën sesa të paqta e të civilizuara janë gratë tona:
1. E para etapë; gjerdanët dhe bylyzykët e floririt tek gruaja shqiptare i dhuroi për funksionimin e universitetit atëherë ilegal të Tetovës; akt ky i rrallë e perlë në madhështi historike për vlerësim të kontributit dhe përkushtimit ndaj arsimimit të fëmijëve tanë;
2. E dyta etapë; hapja e dyerve të të gjitha familjeve shqiptare për të pranuar e kujdesur për të dënuarit nga Kosova në regjimin e Millosheviçit, hapja e çdo dere; paj edhe aty ku burrat ishin në shtëpi, e edhe aty ku burrat ishin në kurbet; akt –quaje religjioz, në solidaritet, tolerancë dhe madje mirëkuptimi politik për paqe në vend;
3. E treta etapë; moslëshimi i shtëpive nga gratë e nënat me fëmijë nëpër fshatrat ku preku e dëmtoi konflikti i vitit 2001, për t’i mbetur besnik kauzës dhe strategjisë së atij konflikti, akt ky heroizmi dhe besimi religjioz ndaj kauzës fillestare të afirmuar.
- E sot?, – dëgjova Mozën të më ndalë euforinë e narracionit tim …
E ndjeva fort se nuk dëshirova t’i flisja për të sotmen e rolit të gruas gruas nëpër institucione shtetërore, partiake, civile, sociale apo edukativo-arsimore. Pata, kam dhe do të kem shumë arsye se përse bëra një urrëzim të tillë, prandaj, më lehtë e më natyrshëm e pata që idealizmin e Mimozës ta mbushja me idealizmin e të gjitha atyre vajzave të reja shqiptare, të cilat kam rastisur t’i njoh, t’iu flas , të prek gëzimin dhe dëshpërimin e tyre…të gjitha atyre që hapin shtegun e rolit të gruas shqiptare tanimë më ndryshe, uroj më lidhur e më qëndrueshëm…; ndryshe nga Mimoza që është nga Dibra, nga Hajrija që është nga Kërçova, nga Albulena që është nga Tetova, nga Valmira që është nga Struga, nga Arta që është nga Shkupi, nga Burbuqja që është nga Gostivari, nga Elona që është nga Manastiri, nga Nora që është nga Ohri, nga Myrvetja që është nga Kumanova, nga Dega që është nga Prespa…nga shumë shumë si Mimoza e mëtej …, nga aq shumë …
- Ka kontinuitet Mimozë, ka kontinuitet dhe ka ndryshim, – i thashë në fund: Por sesa e shohim rolin e gruas shqiptare, sa jemi të hapur ta verifikojmë atë, sa e njohim që më lehtë ta gjejmë e ta pranojmë, …ah, këtë ende nuk e di, vërtet nuk e di…
Dhe për ta kuptuar se përse “nuk e di” , ndoshta i lë faj idealizmit tim, Moza. Po, po , kjo duhet të jetë … Megjithatë, ti ruaju që idealizmin të mos e shndërrosh në mënyrë të jetës…, mbaje si vlerë për vete sa për t’ia shtuar rrugëtimit tonë të gjatë.
17 Janar 2011