Rama: “Më 21 janar populli vihet në veprim, ne jemi pjesë e demonstratës”
Eljona Ballhysa
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke iu referuar 21 janarit, tha se në këtë datë nuk do të zhvillohet një protestë e zakonshme e PS-së, por do të organizohet një demonstratë popullore, ku PS-ja do të jetë pjesë e saj. Sipas Ramës, kjo demonstratë është fjala më e fundit kur populli vihet në veprim ndaj qeverisë dhe në mbrojtje të shtetit, pasi janë ezauruar të gjitha rrugët e tjera. Gjatë fjalës së tij kryesocialisti komentoi dhe ndryshimet në qeveri, duke i cilësuar ato si rruga më e gabuar dhe thellim të provokimit të vazhdueshëm që i po i bëhet popullit nga qeveria e korruptuar. Rama tha se 21 janari do të jetë vetëm fillimi i veprimit popullor, pasi do të pasohet nga lëvizje të tjera.
Demonstrata
“21 janari nuk është demonstrata e Partisë Socialiste për pushtet, po demonstrata e shqiptarëve që duan shtet. Demonstrata e 21 janarit është vënia në veprim e popullit pas ezaurimit të të gjitha mundësive për të mbrojtur Kushtetutën, ligjin, institucionet dhe liritë e të drejtat e qytetarëve përmes përpjekjes së opozitës politike. Ne jemi thjesht pjesë e demonstratës popullore, kërkojmë rivendosjen e demokracisë së marrë peng nga një pushtet i korruptuar dhe i kriminalizuar deri ku s’mban më”, - është shprehur kryesocialisti Rama. Sipas Ramës, demonstrata e 21 janarit nuk është protesta e radhës e PS-së, por është demonstratë popullore që do të pasohet dhe nga të tjera.
“Demonstrata popullore e 21 janarit nuk është protesta e radhës e Partisë Socialiste apo e opozitës politike. Në një rrugëtim, i cili ka mbërritur në një stacion të ri, në stacionin ku populli mbarë, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi, pa dallime, e pavarësisht nëse e ndiejnë ose jo veten pjesë të vizionit, të programit dhe përkatësisë sonë do të marrin pjesë, duhet të marrin pjesë, s’ka pse mos të marrin pjesë, pasi kjo nuk është një demonstratë popullore për pushtet, kjo është një demonstratë popullore për të pasur shtet. Një shtet për qytetarin dhe jo një shtet për pushtetarin e kusarin”, - është shprehur Rama.
Ai tha se kjo demonstratë popullore bëhet për të gjithë ata qytetarë shqiptarë, të cilëve u është grabitur vota, të cilët nuk kanë të ardhura dhe janë futur në borxhe, të cilët vidhen nga pushteti i korruptuar i Berishës.
Ndryshimet
Përsa u përket ndryshimeve në qeveri, Rama tha se kjo ishte rruga e gabuar që nuk bën gjë tjetër veçse thellon edhe më tej provokimin që ky pushtet i ka bërë popullit. “Ndryshimet në qeveri janë një thellim në rrugën e gabuar të provokimit të popullit nga ana e Saliut që vazhdon gënjen sy për sy dhe përpiqet, edhe pse duke u përpëlitur të hedhë lumin duke zëvendësuar again e korrupsionit me qehajain, për të mbajtur në këmbë një koalicion kusarie e matrapazllëku, të cilin Saliu paturpësisht vazhdon e quan të suksesshëm sepse, në fakt, koka e korrupsionit nuk është matrapazi Meta, po vetë i ashtuquajturi. Të gjitha këto fyejnë thellë dinjitetin e këtij populli dhe meritojnë demonstratën e madhe popullore të 21 janarit dhe në vazhdim. Saliu duhet të dorëzojë bllokun e neveritshëm të pisllëqeve që Shqipëria dhe bota mbarë e pa me sy në dorën e një qeverie të marrë fund”, - është shprehur Rama.
Gjinushi: “Zgjedhje të parakohshme për largimin e qeverisë”
Opozita ka ashpërsuar tonet duke paralajmëruar rritjen e presionit ndaj qeverisë për largimin e saj dhe hapjen e rrugës për zgjedhje të parakohshme. Kreu i socialdemokratëve, Skënder Gjinushi, duke e cilësuar kabinetin aktual si të mbytur në skandale dhe korrupsion, ka deklaruar se Shqipëria ka nevojë për një skenar të njëjtë me atë të Tunizisë. “Shqipëria duhet të ndjekë shembullin e Tunizisë, duhet të jetë një shembull jo për të larguar këtë qeveri të korruptuar, por që edhe nesër asnjë qeveri të mos guxojë të abuzojë”, - ka deklaruar Gjinushi. Sipas tij, “duhet larguar qeveria më e korruptuar në Europë, më e korruptuar se qeveritë në Ruanda dhe Uganda”. Kryetari i Partisë Socialdemokrate tha se “videoja është vetëm një ilustrim spektakolar i llumit të kësaj qeverie, erën e të cilit shqiptarët e ndiejnë çdo ditë”. Sipas Gjinushit, çimkat nuk janë profesion i opozitës, por i kësaj qeverie, ku ministri dhe zëvendëskryeministri spiunojnë njëri-tjetrin. Kryetari i PDS-së ka deklaruar se çimkat janë profesion i Lëvizjes Socialiste për Integrim, ku nënkryetari e kryetari spiunojnë njëri-tjetrin. “Çdo qeveri, me sado pak moral, do ta kishte dhënë dorëheqjen vetë, por qeveria e sotme nuk e ka një moral të tillë. Sala e do një të shtyme. Këtë të shtyme do t’ia japin shqiptarët më 21 janar”, - është shprehur Gjinushi, ndërsa u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve, kudo që janë, që t’i bashkohen demonstratës popullore të 21 janarit për të rrëzuar qeverinë e Berishës.
Ndoka: “E vetmja zgjidhje për Shqipërinë është largimi i Berishës”
Edhe demokristianët do t’i bashkohen demonstratës së 21 janarit. Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, deklaroi dje se demokristianët do t’u bashkohen më 21 janar demonstratave popullore të thirrura nga Partia Socialiste. Sipas Ndokës, e vetmja zgjidhje për shqiptarët është largimi i qeverisë “Berisha”.
“Partia Demokristiane mendon se shqiptarët kanë vetëm një rrugëzgjidhje: ta largojnë kryeministrin Berisha dhe qeverinë e tij një orë e më parë nga qeverisja e vendit. Qeverisja aktuale ka dështuar, nuk ngjall më shpresë. Ajo ka humbur besimin, është zhytur në skandale dhe po përdor mandatin e popullit për plaçkitjen e vendit. Partia Demokristiane u bën thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë të bashkohen me ne më 21 janar në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ për të larguar këtë qeveri mafioze që ka mbajtur peng vendin”, - është shprehur kryedemokristiani Ndoka. Partia Demokristiane, në një deklaratë të posaçme për shtyp, i bëri thirrje gjithashtu të gjithë administratës publike, qendrore dhe lokale, të distancohen nga urdhrat verbalë të shefave të tyre, të mposhtin frikën dhe të marrin pjesë në demonstratën e 21 janarit për të penguar këtë qeveri në uzurpimin e institucioneve dhe plaçkitjen e vendit. Sipas Ndokës, pjesëmarrja në këtë demonstratë kundër qeverisë është një mision kombëtar për të gjithë.
18 Janar 2011