E Hënë, 2 Nëntor 2026

11 maji – Prokuroria e Përgjithshme: Regjistrohen 14 kallëzime penale, dy raste dërgohen në SPAK

Në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 11 majit 2025, deri më 28 prill 2025 janë regjistruar 14 kallëzime penale në prokuroritë e disa qyteteve të Shqipërisë. Kallëzimet kanë të bëjnë me shkelje të mundshme të ligjit zgjedhor dhe përfshijnë veprat penale si: Pengimi i subjekteve zgjedhore, Dëmtimi i materialeve zgjedhore, Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike, Kanosja dhe dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje

“Burimet e njoftimit të veprave penale për kallëzimet e regjistruara, kanë qenë në 7 raste policia gjyqësore, në 3 raste Struktura e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), në 2 raste subjektet politike, një rast është nisur kryesisht, ndërsa në një rast burimi ka qenë një shtetas”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Këto kallëzime janë regjistruar kryesisht në Prokuroritë e Fierit (5 raste), Sarandës (3 raste), Tiranës dhe Gjirokastrës (2 raste nga secili), dhe Durrësit e Elbasanit (1 rast nga secili).

Për këto kallëzime janë nisur gjithsej 7 procedime penale. Dy raste janë dërguar për hetim të mëtejshëm në SPAK, nga Prokuroria Durrës dhe ajo e Fierit, ndërsa të tjerat janë ende në fazën e verifikimit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›