Njohësi i Ballkanit bëhet shef i diplomacisë, Merz shpall emrat e qeverisë së re: Besimi i gjermanëve në demokraci është tronditur

CDU e CSU kanë njoftuar emrat e qeverisë së re. Johann Wadephul është Ministri i ri i Jashtëm – i pari kristian-demokrat në këtë post në pothuajse 60 vjet. Kabineti përmban si ekspertë, ashtu edhe politikanë të karrierës. Bashkimi Kristian Demokrat (CDU) ka emëruar ministrat që do të jenë pjesë e kabinetit të kancelarit të ri gjerman, Friedrich Merz.
Johann Wadephul, një aleat i ngushtë i Merz, do të jetë Ministri i ri i Jashtëm.
Katherina Reiche, ish-drejtoreshë e Përgjithshme e Energjisë, do të bëhet Ministre e Ekonomisë.
Partia simotër e CDU-së, Bashkimi Kristian Social (CSU), ka emëruar Alexander Dobrindt-in si Ministër të Brendshëm.
Poste të tjera u takojnë Socialdemokratëve (SPD), partnerëve të koalicionit.
Merz: Evropa “e kërcënuar” nga lufta, besimi i gjermanëve në demokraci “i tronditur”
Kancelari i ardhshëm gjerman, Friedrich Merz, tha të hënën se Evropa është e kërcënuar nga agresioni rus jashtë vendit dhe nga rënia e besimit në demokraci brenda vendit.
“Besimi në demokraci në vendin tonë nuk është dobësuar kaq shumë (ndonjëherë) që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore”, tha ai në një kongres të partisë CDU në Berlin, ku delegatët mbështetën një marrëveshje koalicioni të arritur me SPD-në.
Duke parë përtej Gjermanisë, Merzi tha se Evropa në tërësi ishte “e kërcënuar nga jashtë nga një luftë imperialiste dhe autoritare në Lindje dhe nga qytetarë të frikësuar, të pasigurt dhe ndonjëherë të radikalizuar në vend”.
Gjermania dhe Evropa do ta mbështesin Kievin
Friedrich Merz deklaroi se nuk do të tolerojë një “paqe të diktuar” të imponuar ndaj Ukrainës ka këmbëngulur që Gjermania dhe Evropa do të vazhdojnë ta mbështesin Kievin.
Pas takimit të shkurtër midis Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenski dhe Presidentit të SHBA-së, Donald Trump në Vatikan të shtunën, Merz u shpreh se bisedimet mund të “jenë ndoshta fillimi i një procesi serioz paqeje, që ia vlen ta mbajë këtë emër”.
Në të njëjtën kohë, kancelari i ardhshëm shpalli një rol udhëheqës të Gjermanisë në Bashkimin Evropian. Pasiguria në BE duhet të kapërcehet, tha ai.
Në fjalimin e tij para delegatëve në Berlin, Merz premtoi më tej një ndryshim në politikë në fusha të tilla si politika ekonomike, e migracionit, e jashtme dhe e sigurisë. CDU/CSU dhe SPD donin të formonin një “koalicion funksional” që do të qeveriste në mënyrë të qëndrueshme dhe efektive. “Në politikën ekonomike, politikën e imigracionit, politikën e jashtme dhe politikën e sigurisë, ne do të jemi në gjendje të përmbushim shumë nga premtimet që kemi bërë”, tha ai.
Në kongresin e vogël të CDU-së në Berlin, delegatët votuan në favor të marrëveshjes prej 144 faqesh të titulluar “Përgjegjësia për Gjermaninë”. Kryetari i takimit, Kryeministri i landit të Saksonisë, Michael Kretschmer, foli për një “shumicë dërrmuese” midis 150 delegatëve, që e mbështetën marrëveshjen.
Kur do t’i shpallë SPD-ja ministrat e saj?
Jo të gjithë ministrat e kabinetit në qeverinë e re gjermane i përkasin bllokut konservator CDU-CSU të Friedrich Merz-it. Disa do të jenë nga radhët e partnerit të vogël të koalicionit, Socialdemokratët (SPD).
Më i spikaturi prej tyre pritet të jetë Ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius, i cili duket se do të vazhdojë në rolin e tij aktual. Por socialdemokratët do ta shpallin zyrtarisht pjesën tjetër të qeverisë të hënën e ardhshme, pasi 358.000 anëtarët e partisë të kenë ratifikuar marrëveshjen e koalicionit.
Sekretari i Përgjithshëm i SPD-së, Matthias Miersch, tha të hënën në Berlin se partia po e analizonte nga afër marrëveshjen prej 144 faqesh, të titulluar “Përgjegjësia për Gjermaninë”, por tha se nuk kishte vënë re shumë “eufori”.
Ai pranoi se “në një ose dy vende” ishte shprehur njëfarë “mosbesimi ndaj partnerit të ardhshëm të koalicionit.”
Si vlerësohen zgjedhjet e Merz-it për qeverinë e re gjermane?
Redaktorja politike e DW, Michaela Kuefner, mendon se në kontekstin e politikës gjermane, vendosja e ekspertizës mbi logjikën politike partiake mund të konsiderohet pothuajse revolucionare.
Friedrich Merz-it premtoi një kabinet ekspertësh. Rezultati është një përzierje ekspertësh dhe aleatësh të besuar.
Ministri i ri i Jashtëm, Johann Wadephul, është një ekspert konservator i mbrojtjes dhe politikës së jashtme, i cili ishte pranë Merzit kur ai vizitoi Ukrainën dhe mori pjesë takime, në të cilat vetë Merzi nuk mundi të merrte pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
Zgjedhja e Thorsten Frei-t si shef i kabinetit konsiderohej e sigurtë, pasi ai kishte punuar ngushtë me Merzin në grupin parlamentar të partisë për vite me radhë.
Por Merzi ka treguar gjithashtu gatishmëri për t’u hyrë rreziqeve politike, kur bëhet fjalë për pozicione të lidhura me ekonominë.
Ministrja e tij e re e Tregtisë është Katherina Reiche, një yll biznesi në ngritje në pozicionin e saj të mëparshëm si drejtoreshë ekzekutive e kompanisë energjetike Westenergie.
Një tjetër ish-drejtor ekzekutiv do të jetë përgjegjës për drejtimin e Ministrisë së re të Digjitalizimit dhe Modernizimit: menaxheri i lartë 55-vjeçar Karsten Wildberger do të largohet nga gjigantët e tregtisë elektronike Saturn dhe Media Markt për të marrë përsipër rolin e ri.
Merz nuk premtoi kurrë barazi gjinore, por me katër meshkuj dhe tre femra, ai gjithashtu ka shmangur përshkallëzimin e kritikave se e rrethon veten vetëm me meshkuj si këshilltarë të ngushtë.
Çështja më e rëndësishme që shtrohet është tani është se sa shpejt mund të vërë Merzi në punë kabinetin e tij.
Një njohës i Ballkanit bëhet shef i diplomaicisë gjermane
Me Johann Wadephul në krye të ministrisë së Jashtme, Ballkani Perëndimor mund të presë mbështetje të qartë për integrimin evropian – por gjithashtu kërkesa të forta për reforma reale. Me emërimin e Dr. Johann David Wadephul si ministër i Jashtëm, Gjermania kthehet drejt një diplomacie më pragmatike. Johann David Wadephul, i lindur në vitin 1963 në Husum, në veri të Gjermanisë, është jurist i diplomuar në Universitetin e Kiel-it dhe major në rezervë në Bundeswehr. Anëtar i CDU-së që nga viti 1982, ai ka ndërtuar një karrierë të gjatë politike në landin Schleswig-Holstein dhe që nga viti 2009 është deputet në Bundestag.
Pas zgjedhjeve të vitit 2017, Johann Wadephul u emërua zëvendëskryetar i grupit parlamentar CDU/CSU për çështjet e mbrojtjes, politikës së jashtme dhe sigurisë. Si nënkryetar i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ai është angazhuar për një bashkëpunim më të ngushtë evropian në fushën e sigurisë dhe për mbështetjen e pakushtëzuar të Ukrainës. Në lidhje me marrëdhëniet transatlantike dhe politikën e ndryshuar të SHBA-së nën presidentin Donald Trump, Wadephul ka thënë: “Ne duhet ta mbajmë dorën të shtrirë, të jemi të gatshëm për negociata, por duhet të sigurojmë se mund të mbrohemi vetë nëse negociatat nuk ecin mirë.”
Diplomaci më e matur dhe pragmatike
“Ndryshe nga Annalena Baerbock, Wadephul do të ndjekë një stil më të përmbajtur, më pragmatik dhe më të fokusuar te rezultatet konkrete”, i tha Deutsche Welle-s Hans-Joachim Falenski, ish-këshilltar për politikën e jashtme në grupin CDU/CSU dhe një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij deri në vitin 2021.
Një shembull i kësaj qasjeje u pa në vitin 2022, kur Wadephul kritikoi hapur kancelarin Olaf Scholz për vizitën e parë zyrtare në Ballkan. Scholz kërkoi publikisht në Beograd që Serbia ta njihte pavarësinë e Kosovës, një deklaratë që Wadephul e quajti “amatoreske”, pasi, sipas tij, kërkesa të tilla duhet të adresohen me kujdes diplomatik për të mos bllokuar dialogun. Wadephul kritikoi gjithashtu faktin që kancelari gjerman shkoi fillimisht në Prishtinë dhe më pas në Beograd.
Një njohës dhe ndjekës i vëmendshëm i rajonit
Kolë Gjoka, Konsull Nderi i Shqipërisë në Hamburg dhe ish-kandidat për Bundestag nga CDU e Schleswig-Holstein-it, ka punuar ngushtë me Wadephul-in në strukturat partiake të këtij landi. Ai thotë për DW: “Wadephul është prej vitesh eksperti më i mirë i politikës së jashtme në CDU/CSU dhe përkrahës i forcimit të rolit të Evropës në politikat globale.” Gjoka, i cili prej vitit 2017 ka qenë në listën e landit si kandidat për Bundestag, beson se Wadephul “do të ketë një ndikim të madh në dialogun Kosovë-Serbi dhe do të jetë një mbështetës i jashtëzakonshëm në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.”
Për vite me radhë, Wadephul ka udhëhequr Grupin e Punës për Ballkanin Perëndimor në Bundestag, një platformë ndërsektoriale që bashkonte deputetë të specializuar për të ndjekur zhvillimet në rajon. Në këtë grup merrte pjesë edhe Gunther Krichbaum, i cili tani është emëruar Sekretar Shteti për Çështje Evropiane në Ministrinë e Jashtme, post ky, që deri tani e ka Anna Lührmann, nga të Gjelbrit. Me këtë strukturë të re, pritet që Ballkani Perëndimor të mbetet një prioritet i diplomacisë gjermane – por gjithmonë i lidhur me përmbushjen e standardeve dhe reformave.
Integrim në BE, por në bazë të meritave
Si Wadephul ashtu edhe Krichbaum janë figura që janë shprehur qartë edhe për politikat e brendshme në Shqipëri pa ngurruar të flasin edhe për konfliktet e brendshme politike të partisë simotër, Partisë Demokratike të Shqipërisë. Kështu, për shembull, vetëm disa muaj më parë, Krichbaum dënoi protestat e dhunshme të PD-së në Tiranë dhe kritikoi liderin e saj Sali Berisha, duke theksuar se “një demokraci e shëndetshme ka nevojë për një opozitë të fortë dhe paqësore që përputhet me vlerat evropiane.” Ai sugjeroi gjithashtu që Partia Demokratike të zgjidhte një kryetar të ri për të rikthyer besueshmërinë dhe orientimin pro-evropian të saj.
Ata janë arkitektët kryesorë të kushteve shtesë që Bundestagu vendosi në vitin 2019 për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Wadephul i tha DW: Vendosëm disa parakushte që më kushtuan shumë punë dhe energji, dhe nëse ato nuk plotësohen, atëherë do ta kem të vështirë t’i bind kolegët e grupit tim parlamentar që ta shoqërojnë pozitivisht procesin.” Pritet që kjo qasje ndaj kushteve të ndiqet edhe në të ardhmen. “Reformat juridike, lufta kundër korrupsionit dhe forcimi i institucioneve, veçanërisht në Shqipëri, do të mbeten kritere kyçe për procesin e integrimit evropian,” thotë Falenski.
Mijatovic: Të mos u hapet rrugë regjimeve autoritare
Një veçanti shoqëron emërimin e Wadephul si Ministër i Jashtëm: për herë të parë pas gati 60 vitesh, Ministria e Jashtme gjermane ndodhet sërish në duart e CDU-së. Historikisht, ky post u ishte lënë zakonisht partnerëve të koalicionit. Tani, si Kancelaria, ashtu edhe Ministria e Jashtme drejtohen nga e njëjta parti – CDU-ja.
Politikani i opozitës Boris Mijatović, ekspert për Ballkanin në radhët e partisë “Të Gjelbërit” dhe bashkëpartiak i ish-ministres së Jashtme, Annalena Baerbock, sheh këtu një problem. Ai paralajmëron se pesha dhe pavarësia e politikës së jashtme gjermane mund të dobësohen, pasi kancelari i ardhshëm Friedrich Merz pritet të marrë një rol shumë aktiv në çështjet ndërkombëtare dhe të përqendrojë më shumë kompetenca në zyrën e tij.
Nga Wadephuli si ministër i Jashtëm, Mijatović pret që të angazhohet për shtetin e së drejtës, për demokracinë dhe për një perspektivë të qartë evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Gjermania duhet të qëndrojë hapur në anën e forcave demokratike në rajon dhe të mos i hapë rrugë regjimeve autoritare drejt Bashkimit Evropian,” tha ai për Deutsche Welle.
/rtsh.al/