11 vjet nga Marrëveshja e Ohrit – në Maqedoni ka skepticizëm për zbatimin e saj
Dokumenti i firmosur më 13 gusht 2001 mes përfaqësuesve shqiptarë dhe atyre maqedonas, ndaloi konfliktin 6 mujor, qetësoi raportet ndëretnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve si dhe shtroi rrugën euroatlantike të Maqedonisë. Sot, 11 vjet më pas marrëveshja rezulton e pa zbatuar në tërësinë e saj, pasi shqiptarët ende nuk e gjejnë veten të përfaqësuar në nivele të larta të administratës maqedonase
RDK: Ky pushtet po degradon marrëveshjen e arritur me gjak
Njëmbëdhjetë vite pas nënshkrimit, Marrëveshja e Ohrit vazhdon të lavdërohet nga një pjesë e opinionit në Maqedoni dhe kundërshtohet nga pjesa tjetër. Mirëpo edhe pse ekzistojnë mendime të ndara për rolin e saj kjo Marrëveshje llogaritet si dokument që ndaloi konfliktin e vitit 2001, qetësoi raportet ndëretnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve dhe shtroi rrugën euroatlantike të Maqedonisë. Për rëndësinë dhe arritjen e saj, por edhe të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare ka folur zëvendëskryeministri për implementimin e Marrëveshjes, Musa Xhaferi. Ai bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Besimi kanë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve në fshatin Sllupçan të Kumanovës, një nga bastionet kryesore të UÇK-së në konfliktin e vitit 2001.
“Sot është 13 gushti dhe e gjithë vëmendja dhe përkushtimi do të drejtohen këtu në Sllupçan. Ne e zgjodhëm si vendin më simbolik, për arsye se dëshmorët që dhanë gjakun janë më meritorët që u arrit paqja dhe po garantohet interesi ynë kombëtar shqiptar dhe u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që sot të përkujtojnë kujtimin e tyre dhe të ndërgjegjësohen për të realizuar amanetet në interesin tonë kombëtar demokratik me qëllim përparimi i vendit dhe të integrohemi në strukturat e NATO-s dhe BE, aty ku janë popujt e civilizuar dhe të përparuar”, u shpreh Xhaferi.
Partia Demokratike Shqiptare, si partia më e madhe opozitare dhe një nga nënshkrueset e Marrëveshjes së Ohrit, nuk ka dhënë asnjë prononcim në përvjetorin e njëmbëdhjetë të kësaj marrëveshje. Në PDSH kanë thënë se nuk e shohin të arsyeshme të bëjnë prononcime zyrtare, pasi për momentin janë të shqetësuar për gjendjen shëndetësore të ish-kryetarit Arbën Xhaferi, i cili ende është në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ndërkaq Rilindja Demokratike Kombëtare ka reaguar me një deklaratë për shtyp.
Kjo parti ka shprehur respekt për dëshmorët e rënë në konfliktin e vitit 2001, mirëpo ka akuzuar pushtetin se po degradon këtë marrëveshje të arritur me gjak.
Edhe ekspertët shqiptarë kanë vërejtje të shumta lidhur me marrëveshjen e Ohrit, duke thënë se me këtë marrëveshje nuk u arrit qëllimi kryesor i luftës së vitit 2001– që shqiptarët të bëhen popull shtetformues në Maqedoni.
Në 11 vjetorin e Marrëveshjes së Ohrit ka reaguar edhe ambasada amerikane në Shkup. Në një deklaratë zyrtare, ambasada amerikane ka kërkuar nga liderët politikë në Maqedoni të tregojnë guxim në tejkalimin e sfidave, njësoj si para 11 vjetësh kur u nënshkrua marrëveshja e Ohrit.
Marrëveshja e Ohrit u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001, pas negociatave tre javore mes shqiptarëve dhe maqedonasve.
Me nënshkrimin e kësaj marrëveshje u ndërpre konflikti gjashtë mujor mes pjesëtarëve të gueriles shqiptare të njohur si Ushtria Çlirimtare Kombëtare dhe forcave maqedonase të sigurisë.
Nënshkrues të kësaj marrëveshje ishin përfaqësuesit e katër partive më të mëdha politike në Maqedoni, si dhe përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, por jo edhe përfaqësuesit e UÇK-së së atëhershme, që tani udhëheqin Bashkimin Demokratik për Integrim.