E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zoti Rama, je i lindur për në opozitë!

13-08-2012 / Gazeta 55

S’ndalet histeria e kreut të opozitës kundër institucioneve kushtetuese, pas rotacionit të kryer në krye të presidencës. Ai udhëhoqi vazhdimisht një betejë për pavarësi institucionesh, sa kohë kishte në xhep hipotekën e Bamir Topit për varësinë e këtyre institucioneve, por tani ai e ka humbur qetësinë, pasi ka kuptuar se ka marrë fund keqpërdorimi prej nomenklaturës së Bllokut i presidencës, prokurorisë e agjencive të specializuara të shërbimeve. Ai ka marrë vesh se nga kështjella prej rëre e marrjes së pushtetit me ndihmën e prokurorisë dhe SHISH-it, tani i ka mbetur veç një garanci; fakti se ai është i lindur për në opozitë 



Kryesocialisti Edi Rama ka dëshmuar në 7 vitet e mbijetesës së tij në politikë (si kryetar i Partisë Socialiste), se gjithnjë, në vëmendje të aksioneve politike opozitare, ka patur asistencën e disa prej titullarëve të institucioneve Kushtetuese. Kjo e konfirmuar në disa raste, pa qenë nevoja e specifikimit të tyre, ku është zbardhur zinxhiri i bashkëpunimit mes titullarëve të institucioneve, për qëllime kryekëput anti-demokratike. Rehatia e gjetur nga Rama në homologimin e raporteve të ndërlidhura mes krerëve të institucioneve që fshihnin kokën si struci në selinë e PS, sot ka marrë fund. Ka marrë fund sepse ka humbur “hipotekën” e Bamir Topit në krijimin e varësisë së institucioneve dhe keqpërdorimin e tyre për interesa meskine. Sigurisht, humbja e hipotekës ka qenë një nga momentet më të dhimbshëm për Ramën pasi fatet e karrierës së tij politike, apo më tej akoma drejt hierarkisë, për të qenë Kryeministri i vendit, vareshin direkt apo indirekt nga puçet institucionale të ndërthurura pikërisht nga titullarët e institucioneve që punonin edhe për hesape të mandateve të dyta.


Rama e di shumë mirë se përmes votës së zgjedhësve s’mund ta fitojë pushtetin. Kjo e faktuar në disa palë zgjedhje ku Rama del gjithnjë në “rënie të lirë”. I vetmi lider i së majtës që regjistron 3 humbje zgjedhjesh që prej ardhjes së tij në krye të PS. Dhe për ironi të fatit, çdo vit elektoral PS e kapërdin me rrjedhje votash dhe lëkundje pozitash për lidershipin e saj, derisa një vit më parë humbi gjithçka kishte ruajtur 4 vjet më parë përmes certifikatave të falsifikuara. Ndaj, dështimet e njëpasnjëshme e kanë çuar atë drejt zgjedhjes finale, tentativës për të mbjellë ferrin ane kënd vendit me akuza nga më qesharaket, ndërsa në fokus ka veç marrjen e pushtetit. Kësisoj, jo të paqëllimshme janë reagimet histerike në kor si nga z.Rama ashtu edhe nga shpura e tij politike dhe mediatike, për lirimin nga detyra të Bahri Shaqirit, i cili ishte prej 8 vitesh në krye të SHISH.



Rama nuk kursen as kreun e ri të institucionit, Visho Ajazin, por paturpësisht e vetmja akuzë që del nga gojëligat e PS, është ajo e “njeriut partiak”, edhe pse z.Ajazi nuk figuron qoftë dhe një ditë të vetme anëtar i një partie politike. Pra, rrethi i akuzave ngushtohet e ngushtohet deri në absurditet...ty ku Rama e ka të pamundur të dalë nga llogorja e krizës së personalitetit si gërshetim i papjekurisë së lidershipit. Në memorien e shqiptarëve është ende e freskët deklarata e kryeministrit Sali Berisha, pak ditë pas 21 janarit 2011-të, se Drejtoria e SHISH me 1000 punonjësit e saj i dhanë Policisë së Shtetit, zero informacione për demonstratën e dhunshme që po planifikohej në këmbim të shumave të mëdha të parave, duke rekrutuar eksponentë me precedentë penalë. Zinxhiri SHISH-Prokurori-Presidencë-PS kulmoi me atë që u pa nga të gjithë, rrethimin e selisë së Këshillit të Ministrave për 5 orë radhazi, duke ushtruar të gjitha format e dhunës nga ato fizike e deri në kërcënime për arrestime të anëtarëve të kabinetit qeveritar. 


Sot, Presidenca nuk është më në qendër të ciklonit të keqpërdorimit politik nga trashëgimtarët e nomenklaturës. SHISH drejtohet nga një personalitet i shquar me peshë akademike. Rrethi është ngushtuar aq shumë sa kryesocialisti ndjehet i vetmuar në përkushtimin e lëvizjeve destruktive për cenimin e rendit demokratik. Ky është edhe burimi i histerisë së paprecedentë mediatike dhe politike e Edi Ramës. Rama nuk kërkon shumë..., thjesht përshtatjen e modelit banal të zgjedhjes së Avokatit të Popullit me CV, praktikë e panjohur në vendet e botës demokratike, në zgjedhjen e titullarëve të institucioneve si kreun e SHISH, Kryeprokurorin, nënkryetarin e KLD-së, anëtarët e gjyqësorit apo edhe...Presidentin e Republikës. Kjo do ishte formula e vetme që do sillte efikasitetin e bastardimit politik dhe shoqëror të kryesocialistit Edi Rama dhe shpurës së tij histerike që e ndjek nga pas. Ndërsa akuzat opozitare për absolutizim të pushtetit janë sa hipotetike aq edhe banale, pasi vetë Rama qëndron në kundërshtim me bindjen e vërtetë të bazës socialiste...dhe ndaj është i destinuar të mbetet në opozitë.  


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›