111-vjetori i themelimit të FA-së, Begaj: Mirënjohje për kontributin dhe sakrificat e të gjithë efektivëve

Forcat e Armatosura shënojnë 111- vjetorin e themelimit. Presidenti, Bajram Begaj ka uruar Forcat e Armatosura të Shqipërisë për 111-vjetorin e themelimit.
Përmes një postimi në Facebook, Begaj shprehu nderim dhe mirënjohje për efektivët e FA-së për sakrificën dhe përkushtimin në misione të vështira.
Presidenti Begaj shprehet se FA janë krenari kombëtare që kanë arritur me sukses të mbajnë lart flamurin dhe emrin e Shqipërisë.
“Sot shënojmë 111-vjet të Forcave të Armatosura. Nderim dhe mirënjohje për secilin prej jush; djem, vajza, burra dhe gra, që shërbeni me guxim të pakrahasueshëm, sakrificë të thellë dhe përkushtim të palëkundur në misione të vështira si dhe në ato paqeruajtëse jashtë kufijve tanë!
Faleminderit që mbani lart me trimëri flamurin dhe emrin e Shqipërisë!”, uron Begaj.
Një urim për 111- vjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura Shqiptare, ka përcjellë edhe kryeministri Edi Rama i cili përmes një postimi në Facebook shkruan se efektivët tanë janë mishërim i përkushtimit ndaj sigurisë, lirisë dhe interesave të kombit tonë.
“Në 111 vjetorin e krijimit të Forcave të Armatosura Shqiptare, efektivët tanë janë mishërim i përkushtimit ndaj sigurisë, lirisë dhe interesave të kombit tonë”, shkruan Rama.
Peleshi: Krenarë për kontributin e jashtëzakonshëm si aleat dhe partner në NATO
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka shprehur mirënjohje për efektivët dhe personelin e angazhuar për 111 vjetorin e krijimit të FA-ve.
“111 vite nga krijimi i Forcave të Armatosura!
Mirënjohje të thellë për të gjithë efektivët dhe personelin e angazhuar, të cilët janë të dedikuar që Forcat e Armatosura të jenë simboli më i mirë i forcës dhe përkushtimit ndaj sigurisë, lirisë dhe të interesave të kombit tonë.
Krenarë për kontributin e jashtëzakonshëm si aleat dhe partner në NATO, ku do të vazhdojmë të jemi një forcë e fortë në skenën ndërkombëtare”, shkruan Peleshi në rrjetin social Facebook.
/rtsh.al/