Asfaltohet segmenti rrugor Shkozet-Plepa, Balluku: Lehtëson lëvizjen e automjeteve

Përfundon asfaltimi i segmentit nyja e Shkozetit-mbikalimi i Plepave në Durrës, me një gjatësi prej 4 kilometrash.
Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku inspektoi punime ndërsa theksoi se Durrësi ka nevojë për një mbështetje të veçantë për shkak të shtimit të një numri të madh të projekteve të cilat do të kërkojnë edhe infrastrukturë të posaçme, siç është rasti i Marinës së Durrësit
Balluku tha se “ne presim një lajm të mirë për miratimin e kredisë dhe një granti për ndërtimin e rrugës Durrës Rrogozhinë dhe do të kemi shumë projekte. Kemi prioritet standardet në realizimin e investimeve dhe po punojnë edhe me veprat e tjera”.
Në këtë aks po punohet për detajet e fundit, vijëzimin dhe sinjalistikës, duke përmbyllur kështu plotësisht këtë ndërhyrje të rëndësishme për qarkullimin e automjeteve
Ky segment, pjesë e anashkalimit të Durrësit, është shumë i rëndësishëm pasi shërben për lidhjen e superstradës Tiranë – Durrës nga Nyja e Shkozetit deri në Mbikalimin e Plepave ku lidhet me rrugën Tiranë – Ndroq – Plepa dhe rrugën Plepa – Kavajë – Rrogozhinë.
Të gjitha mjetet e zonës së veriut që lëvizin drejt jugut dhe ato të Portit të Durrësit kalojnë në këtë segment rrugor.
“Është një punë që e kemi nisur dhe e kemi përfunduar në kohë rekord. Sipas një kërkese të Bashkisë së Durrësit, sigurisht edhe të Ministres Kumbaro, duke qenë se ky segment prej 4 kilometrash, Shkozet-Plepa, konsiderohet me të vërtetë i rëndësishëm për qytetin e Durrësit, i rëndësishëm për turizmin, duke qenë se mbanë të gjithë trafikun veror të turizmit, por nga ana tjetër duhet të kemi parasysh që ky është një segment lidhës përsa i përket të gjithë trafikut që vjen nga Jugu i Shqipërisë dhe drejtohet drejt Tiranës.
/rtsh.al/