112-vjetori i Pavarësisë në rrethe- Flamuri kuq e zi valëvitet në këtë ditë të shënuar

Në këtë 28 Nëntor, Shqipëria është veshur kuq e zi, ndërsa një sërë veprimtarish festive janë organizuar në çdo qytet.
112- vjetori i Pavarësisë e gjeti Lezhën, si dhe çdo qytet tjetër në vend të veshur kuq e zi. Atmosfera festive për ditën e Pavarësisë ndihej kudo, ndërsa ceremoni zyrtare u zhvillua pranë obeliskut të Besëlidhjes ku u ngrit flamuri dhe u vendosën kurora me lule. Autoritetet lokale teksa uruan 28 Nëntorin vlerësuan sakrificën e të gjithë atyre që kontribuuan në pavarësinë e vendit.
I pranishëm në Festën e Flamurit në Lezhë ishte dhe Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, i cili vlerësoi këtë ditë të shënuar për kombin shqiptar.
Në aktivitetin e organizuar nga Bashkia Lezhë për 112-vjetorin e Pavarësisë ra ne sy mungesa e përfaqësuesve të opozitës.
112-vjetori i Pavarësisë në Fier
Festimet për Ditën e Flamurit në këtë 112 vjetor nisën në qytetin e Fierit me ceremoninë e nderimit të aktit madhor të shpalljes së Pavarësisë. Kjo ditë bëri bashkë qytetarë të shumtë të mbledhur në sheshin para bashkisë, për të kujtuar luftën e të parëve tanë që dhanë jetën për atdhe ndërsa në mënyrë simbolike u bë dhe ngritja e flamurit kuq e zi.
Mesazhe urimi erdhën nga zv. kryeministrja Belinda Balluku dhe autoritete lokale.
Festimet në Ditën e Flamurit vijuan me koncertin festiv “Dua më shumë Shqipërinë” ndërsa u organizua edhe ndeshja mes shoqatës së futbollistëve veterane Shqipëri-Kosovë.
Shqiptarët e Kosovës festojnë 28 nëntorin në Shqipëri
Atmosfera e festave të nëntorit ndihet në doganën e Morinit. Makina të veshura me flamuj kuq e zi e njerëz që festojnë. I tillë është edhe një organizim i universitetit “Haxhi Zeka” të Pejës ku studentët e këtij universiteti, 28 nëntorin kanë zgjedhur për ta festuar në Shqipëri.
Edhe bashkëatdhetarë të tjerë çdo vit vijnë në Shqipëri për të festuar, e kryesisht zgjedhin qytetin e Tiranës.
Kujtojmë që kalimi pa kontrolle i kufirit aplikohet në doganën e Morinit gjatë festave zyrtare dhe fundjavave për të shmangur kështu radhët e gjata që mund të krijohen.
Elbasan, organizime të ndara nga politika edhe në këtë 28 Nëntor
Edhe sheshi para bustit të Aqif Pashës në Elbasan u bë pjesë e festimeve në kuadër të festave të Nëntorit. Në një ceremoni zyrtare, ku të pranishëm ishin përfaqësues të pushtetit vendor dhe drejtues politik të partisë socialiste u bë ngritja e flamurit, ndërsa fjalimet e vunë theksin te rëndësia që mbart 28 nëntori, Dita e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.
Në ceremoni nuk mori pjesë asnjë nga përfaqësuesit e opozitës në Elbasan, të cilët vendosën kurora me lule në bustin e Aqif Pashës, një orë më vonë.
Bashkia Elbasan është kujdesur që 28-29 Nëntori të shoqërohet me një sërë aktivitetesh artistike.
/rtsh.al/