Vrasja e 14-vjeçarit, Policia e Shtetit: Nuk ka autor të dytë, po dezinformohet publiku

Një reagim i dytë ka ardhur nga Policia e Shtetit në lidhje me dyshimet për praninë e një autori të dytë në vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani.
Në njoftimin e rastit, Policia e Shtetit shprehu “indinjatën” për dezinformimin e publikut, duke e konsideruar një lojë, e cila po nxit pasiguri dhe mosbesim te uniformat blu.
Policia e Shtetit ka shpjeguar edhe kronologjinë e ngjarjes. Sipas hetimeve paraprake, autori i vrasjes, 14-vjeçari Mario P., dyshohet të jetë goditur nga viktima dhe shoku i këtij të fundit. Më pas autori ka reaguar duke e qëlluar me thikë viktimën.
“Autori i vrasjes është goditur dhe shtrirë përtokë nga viktima dhe shoku i këtij të fundit. Ai ka reaguar duke qëlluar me thikë, ndërkohë nga dëshmitë e personave te pranishëm në konflikt, po edhe nga tërësia e provave të administruara nuk rezulton që shoku i autorit të ketë gjuajtur me thikë shokun e viktimës, ndërkohë që ky së bashku me viktimën ishin mbi trupin e shtrirë përtokë të autorit. Nga veprimet hetimore dhe proceduriale në drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, nga momenti që ka filluar ngjarja dhe në vijim të hetimeve, nuk ekziston autori i dytë i ngjarjes që është sajuar duke hedhur dyshime të ulëta mbi vërtetësinë e komunikatave të Policisë së Shtetit”, thuhet në njoftim.
Hoxha: Dezinformimet po përdoren politikisht, nuk ka autor të dytë
Edhe ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, ka shprehur mbështetje për deklaratën e Policisë së Shtetit lidhur me vrasjen e 14-vjeçarit të shkollës “Fan Noli” dhe ka kërkuar nga mediat të ndalin përhapjen e dezinformacioneve mbi autorësinë e ngjarjes. Ai theksoi se disa media dhe figura publike po përdorin tragjedinë për të politizuar dhe manipuluar opinionin publik, duke shpikur teori të pabaza për një autor të dytë të vrasjes.
Hoxha nënvizoi se këto spekulime janë të paqëndrueshme dhe të pa lidhje me të vërtetën, duke u mbështetur në faktin se ngjarja është regjistruar nga kamerat e sigurisë, të cilat kanë dokumentuar dinamikën e vrasjes.
“Mbështes plotësisht në frymë dhe në gërmë deklaratën e sotme të Policisë së Shtetit dhe i bashkohem thirrjes për mediat, që të ndalin valën e dizinformimit mbi autorësinë e vrasjes së nxënësit të shkollës “Fan Noli” dhe në përgjithësi mbi komunikatat e Policisë së Shtetit, siç bënë edhe në rastin e Pogradecit duke helmuar opinionin publik. Konfirmoj edhe me përgjegjësinë time politike dhe ligjore vërtetësinë e komunikatave të Policisë së Shtetit mbi dinamikën e kësaj ngjarjeje. Tymnaja mbi ekzistencën e një autori të dytë, i cili paska goditur me një tjetër thikë viktimën është prodhim i papërgjegjshmërisë mediatike, që s’ka asnjë lidhje me të vërtetën dhe me interesin publik.
Fatkeqësisht disa ekrane dhe portale, si edhe të zakonshmit e këtyre rasteve në tribunën e politikës apo të maskuar si qëndrestarë të pavarur rrugëve qorre të luftës për pushtet, po përsërisin atë që bënë me ngjarjen e Pogradecit. Por fatmirësisht në këtë rast, ngjarja është e regjistruar nga kamerat e sigurisë, të cilat tregojnë qartë bllofin e madh të politizimit apo tregëtimit mediatik të vdekjes. Konstatoj se përpjekja për të shfrytëzuar politikisht dhe mediatikisht situata të tilla, rritet bashkë me të dhënat pozitive të punës së Policia e Shtetit. Histeria dizinformuese mesa duket motivohet nga rënia e përvitshme e numrit të vrasjeve dhe kur ndodh një tragjedi e tillë, të zakonshmit hidhen përpjetë sapo u vjen rasti! Sidoqoftë, e vërteta është e qartë si drita e diellit në komunikatat e Policisë së Shtetit, jo në lojën politike apo mediatike me vdekjen të atyre që ky popull ua ka marrë dorën prej kohësh”, shkruan Hoxha.
Kujtojmë se pretendimet për një autor të dytë janë hedhur nga Fiqiri Meçe, babai i 14-vjeçarit tjetër që mbeti i plagosur në ngjarjen e rëndë.
Ngjarja tragjike ndodhi më 18 nëntor në afërsi të shkollës “Fan Noli”, ku tre të mitur u konfliktuan me njëri-tjetrin dhe si pasojë e plagëve të marra me thikë, 14-vjeçari Martin Cani humbi jetën në Spitalin e Traumës.
/rtsh.al/