E Shtunë, 31 Tetor 2026

“12 rekomandimet, program pune për institucionet e shtetit”

20-03-2012 / Gazeta 55

Jozefina Topalli – Jacques Louis Werner


Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli priti dje në një takim drejtorin e Drejtorisë për Evropën në Ministrinë e Jashtme të Holandës, Jacques Louis Werner dhe zyrtarët që e shoqëronin. Topalli bëri një panoramë të zhvillimeve në vend, duke e vlerësuar atë optimiste. “Reformat e zhvillimit ekonomik dhe Integrimi evropian janë dy shtyllat e axhendës së Parlamentit”, rikonfirmoi Topalli, duke theksuar se plotësimi i 12 rekomandimeve të BE është program pune i përditshëm për të gjitha institucionet shqiptare. Duke u fokusuar në çështjen e Statusit për vendin kandidat Topalli vlerësoi se, shqiptarët kanë një vokacion shekullor evropian nisur nga identiteti historik dhe kulturor i tyre, në rajon. Kryetarja Jozefina Topalli solli në vëmendje të delegacionit të BE, faktin se, 96 për qind e shqiptarëve e dëshirojnë anëtarësimin në BE dhe se roli i tyre në Ballkan e më gjerë, ka qenë gjithmonë në kontribut të paqes dhe stabilitetit. Më tej, kryetarja e Kuvendit u fokusua në programin dhe vizionin ekonomik të qeverisë dhe Parlamentit në përballimin e krizës globale dhe pasojave të saj, duke shpjeguar reformat në liberalizimin e tregut, krijimin e një fryme pozitive për bizneset e huaja, përqindjen e madhe të buxhetit në infrastrukturë dhe shërbimet publike, mbajtjen nën kontroll të inflacionit, investimet në turizëm, energji dhe sektorë të tjerë të rëndësishëm, etj. Nga ana e tij Werner, vlerësoi hapat inkurajuese që Shqipëria dhe institucionet kanë bërë për integrimin evropian dhe garantoi mbështetjen e vendit të tij,  në rrugën e plotësimit të standardeve. “Mentalitetit dhe dëshirës së shqiptarëve për të qenë pjesë e BE, duhet t’i përgjigjet me të njëjtin vullnet dhe klasa politike në vend, theksoi diplomati holandez, i cili tha se prioritet është forcimi i shtetit ligjor. Werner, tha se Parlamenti ka një rol kyç në ecurinë e reformave. Më tej, Kryetarja e Kuvendit shpjegoi se marrjen e Statusit e ka penguar bojkoti i opozitës për më se dy vjet në Parlament dhe pas këtij qëndrimi, vota bllokuese ndaj ligjeve me tri të pestat. “Por, unë u shpreh e shoh me optimizëm bashkëpunimin aktual mes palëve ne reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODHIR dhe reformës në Regulloren e Parlamentit që ka si model rregulloren e PE”. Gjatë bisedës Werner vlerësoi modelin e politikave ekonomike që po ndjek Shqipëria, për të mos u prekur nga kriza globale. Kryetarja e Kuvendit foli dhe për domosdoshmërinë e heqjes së imuniteteve të deputetëve, gjyqtarëve dhe të gjithë zyrtarëve të lartë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›