E Diel, 1 Nëntor 2026

Brukseli: Statusi kandidat, në 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë

20-03-2012 / Gazeta 55

Gjatë Komitetit të Stabilizim-Asociimit Shqipëri-BE, drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, Pierre Mirel dhe Drejtori i Zgjerimit Stefano Saninno, paralajmëruan vendimin e pritshëm të strukturave të Brukselit për akordimin e statusit të kandidatit në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë
Ettore Sequi: Rekomandimet po plotësohen, besojmë në kapacitetin e Shqipërisë

Mbledhja e Komiteti të Stabilizim Asociimit BE – Shqipëri, në prani të drejtorit për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Zgjerimit në Komisionin Europian, Pierre Mirel, kreut të delegacionit të Komisionit Evropian në Tiranë, Ettore Sequi dhe ministres së Integrimit Evropian, Majlinda Bregu, u zhvillua në një frymë të plotë optimizmi për plotësimin e detyrave të integrimit dhe marrjen e statusit të vendit kandidat në 100 vjetorin e Pavarësisë.
Takimi i tretë BE-Shqipëri, shqyrtoi ecurinë e vendit në çështjet më të rëndësishme të kriterit politik, ekonomik, asistencën financiare, zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, tregun e brendshëm, doganat, tatimet etj.
Në fjalën e saj të hapjes ministrja e Integrimit Evropian, Majlinda Bregu, përfaqësuese e palës shqiptare në takim tha se, “që nga mbledhja e fundit e këtij formati në prill 2011, Shqipëria ka ecur përpara në zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja e Stabilizim Asociimit. Nga ana tjetër, me dhënien  fund të bojkotit nga ana e opozitës, prej muajit nëntor, palët po bashkëpunojnë për reformën elektorale dhe atë parlamentare, në komisionet respektive ad hoc”, tha Bregu.
Duke iu referuar Planit të Veprimit, pika kryesore e diskutimeve në kriterin politik, ministrja informoi se qeveria shqiptare në bashkëpunim të ngushtë me parlamentin dhe shoqërinë civile ka rishikuar tashmë Planin e Veprimit për zbatimin e 12 prioriteteve.
“Ka qenë një proces gjithëpërfshirës, me konsultive intensive dhe komente, të cilat janë integruar tashmë në variantin përfundimtar të Planit të Veprimit që i është dërguar Këshillit të Ministrave për miratim. Pas miratimit nga Këshilli i Ministrave, ky plan do të dërgohet në Bruksel dhe më pas do të jetë dokument publik”, tha ministrja.
Duke shprehur bindjen për përmbushjen e prioriteteve kryesore, ministrja tha se gjatë dy ditëve do të diskutohet për funksionimin e parlamentit, për zhvillimet e fundit në komisionin e reformës elektorale që ka miratuar tashmë disa nga amendamentet në lidhje me regjistrimin e kandidatëve, me mbulimin nga media gjatë fushatës elektorale dhe një sërë amendamentesh që kanë të bëjnë me kodin penal gjatë shkeljeve të ndryshme gjatë procesit të zgjedhjeve.
“Tashmë ka një angazhim të qartë nga të dyja palët politike të përfaqësuara në komision për përfundimin e këtyre procedurave në kohë, për zgjedhjet e ardhshme”, tha më tej ministrja, e cila shtoi se gjatë këtij takimi, do të ketë shumë shembuj për t’u demonstruar të gjithëve që Shqipëria ka arritur të realizojë sfidat për sa i përket zbatimit të MSA-së. “Kemi lajme të mira dhe për sa i përket kritereve ekonomike, doganave, liberalizimit të vizave; do të doja t’i konsideroja të gjitha këto si një histori suksesi nga pjesa e palës shqiptare”, u shpreh ajo. “Jemi të bindur që ka nevojë për më shumë progres në muajt në vijim, kushtet e BE-së janë tani më kërkuese se kurrë dhe ne i mirëpresim si një inkurajim për përshpejtimin e reformave. Zgjerimi do të jetë i besueshëm, vetëm nëse ecuria e tij do të jetë sipas një vlerësimi të saktë dhe të duhur. Mendoj se do të jetë gjithçka e mundur, mbi bazë meritash dhe shpresojmë brenda një kohe sa më të shkurtër”, përfundoi fjalën e saj ministrja Majlinda Bregu.

Pierre Mirel
Përfaqësuesi i palës evropiane në takim, Pierre Mirel, drejtori për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Zgjerimit në Komisionin Europian tha se, “në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë, duhet të jeni të suksesshëm në përmbushjen e prioriteteve kyçe për të konfirmuar se integrimi evropian është projekti juaj madhor kombëtar”.
Sipas tij, zhvillimet e muajve të fundit janë pozitive, ndërsa inkurajoi klasën politike për vazhdimin konsensusit dhe shndërrimin e tij në arritje dhe reforma konkrete.
“Kriteret duhet të arrihen dhe ajo çka nevojitet për të përmbushur këto kritere, është konsensusi kombëtar për integrimin evropian, të cilin ju e keni treguar 3 vjet më parë, kur të gjithë anëtarët e parlamentit e mbështetën integrimin. Kjo është diçka që nuk gjendet në të gjitha vendet e rajonit. Që të ruhet ky konsensus, duhen rezultate pozitive; kemi parë muajt e fundit shumë zhvillime pozitive si marrëveshja e nëntorit dhe puna e deritanishme e komisioneve parlamentare për reformën zgjedhore dhe parlamentare, votimi i disa ligjeve me shumicë të cilësuar; të gjitha këto janë shumë inkurajuese që ky konsensus kombëtar për integrimin, të kthehet në reforma dhe masa konkrete. Ne mirëpresim jo vetëm Planin e Veprimit, por edhe të qenit të hapur dhe dialogun që ka filluar si në parlament ashtu dhe në komision e Integrimit”, u shpreh Mirel.
Në ditën e dytë të takimit të tretë të Komitetit të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, do të diskutohen zbatimi i MSA-së, ecuria e liberalizimit të vizave, tregtia, industria, doganat, tatimet, bujqësia, peshkimi, tregu i brendshëm, novacioni, shoqëria e informacionit etj.

Ettore Sequi
Pjesëmarrës në takim, ambasadori i Komisionit Europian në Tiranë, Ettore Sequi tha se KE mirëpret Planin e Veprimit që do të miratohet së shpejti dhe beson në kapacitetet e Shqipërisë për të përmbushur sfidat që e presin.
“Integrimi evropian është prioriteti juaj kombëtar që ka nevojë për dialog konstruktiv dhe veprime konkrete. Nevojitet një konsensus kombëtar dhe progres që duhet të kthehen në arritje konkrete dhe përfitim për shqiptarët”, u shpreh Sequi.
Për ambasadorin e Bashkimit Evropian, rikthimi i dialogut politik bëri që të miratoheshin disa ligje të rëndësishme, rekomandime të Komisionit Evropian, si dhe të ushtrohej konsensusi për reformat e kërkuara nga Brukseli.
“Shqipëria ka bërë progres solid në përmbushjen e disa sfidave, rekomandime të Komisionit Europian në adresimin e prioriteteve kyçe dhe do të doja të përgëzoja punën mbi planin e veprimit. Ne besojmë ne kapacitetin e Shqipërisë për të përmbushur ato sfida që parashikon interesi juaj kombëtar, përmes dialogut dhe veprimeve konkrete”, tha më tej ai.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›