E Diel, 1 Nëntor 2026

12 shkolla të përfshira në nismat për sigurinë rrugore

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Rritja e sigurisë rrugore përmes edukimit të brezit të ri vijon të jetë një nga prioritetet e Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor (DPSHTRR). Gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026, 1124 fëmijë u përfshinë në programet edukative të institucionit, me synim formimin e një kulture më të fortë të respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor.

DPSHTRR bëri të ditur se, në kuadër të projektit “Siguria Rrugore”, u zhvillua fushata edukative në shkollat 9-vjeçare të vendit, ku “Këndi Lëvizës i Edukimit mbi Trafikun dhe Sigurinë Rrugore” vizitoi 12 shkolla. Përmes aktiviteteve ndërvepruese dhe materialeve informuese, nxënësit u njohën me rregullat bazë të qarkullimit dhe sjelljen e sigurt në rrugë.

Po ashtu, ekipi i Sigurisë Rrugore mori pjesë në tetë aktivitete publike, të organizuara nga DPSHTRR ose në bashkëpunim me partnerë, për të promovuar kulturën e sigurisë rrugore dhe për të rritur ndërgjegjësimin e qytetarëve.

Sipas DPSHTRR-së, edukimi i fëmijëve për sigurinë në trafik mbetet një investim afatgjatë për krijimin e drejtuesve të përgjegjshëm të mjeteve dhe për uljen e aksidenteve rrugore në të ardhmen.

/e.xh/j.p/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›