QSUT forcon bashkëpunimin me Turqinë për zhvillimin e infrastrukturës spitalore dhe shërbimeve shëndetësore

TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” vijon përpjekjet për forcimin e bashkëpunimeve ndërkombëtare në funksion të përmirësimit të infrastrukturës spitalore dhe rritjes së cilësisë së shërbimeve shëndetësore.
Drejtoresha e përgjithshme e QSUT-së, Rudina Degjoni priti në një takim atasheun tregtar të Ambasadës së Turqisë në Tiranë, Tarik Aksoy, si dhe kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri–Turqi, Kenan Sevinç.
Gjatë takimit u diskutua mbi mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, përfshirë zhvillimin e infrastrukturës spitalore, shkëmbimin e ekspertizës dhe realizimin e projekteve që synojnë përmirësimin e mëtejshëm të shërbimeve shëndetësore në QSUT.
Degjoni u shpreh se partneritete të tilla kontribuojnë në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe në ndërtimin e një sistemi shëndetësor më modern, ku pacienti mbetet në qendër të vëmendjes.
/e.i/j.p/r.e/