E Shtunë, 31 Tetor 2026

120 000 euro shpërblim për kuqezinjtë

albaniiiiiiiiiiiiiiiiFitorja në Oslo do mbahet mend gjatë nga protagonistët e saj, teksa përveç shpërblimit moral kuqezinjtë do përfitojnë nga një shpërblim material i paparë ndonjëherë

Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Futbollit është mbledhur ditën e djeshme, dhe ka marrë një numër vendimesh të rëndësishme. Ai që bën më shumë bujë dhe që bie në sy është vendimi për të shpërblyer kombëtaren shqiptare me një shifër të paparë ndonjëherë në historinë e përfaqësueses sonë. Fitorja ndaj Norvegjisë rriti ndjeshëm shpresat për një kualifikim në botërorin e Brazilit, dhe bëri shqiptarët të ëndërrojnë për një pjesëmarrje në kompeticionin më të blazonuar ndërkombëtar. Në këtë mënyrë, drejtuesit e Federatës i kanë dhënë një shtysë më tepër kuqezinjve për ndeshjen e kthimit me norvegjezët në Tiranë, ndeshje që do të luhet në datën 7 Qershor, në stadiumin Kombëtar Qemal Stafa, teksa me një tjetër fitore shpërblimi do të jetë akoma dhe më e madhe. Nga premioja e vendosur ditën e djeshme përfitojnë vetëm futbollistët kuqezi, ndërsa stafi i ka përcaktuara shpërblimet nga kontrata e nënshkruar përpara fillimit të edicionit, siç bëhet e ditur në procesverbalin e lëshuar nga FSHF.

Ceremoni lamtumire për legjendat Lala dhe Skela

Në mbledhjen e djeshme të Komitetit Ekzekutiv, nuk u la pas dore dhe organizimi i ceremonisë së lamtumirës, për dy prej ikonave të përfaqësueses sonë gjatë dekadës së fundit. Ervin Skela dhe Altin Lala do të shpërblehen për kontributin e tyre disavjeçar në Kombëtare,  me një ceremoni të veçantë që do të zhvillohet përpara ndeshjes vendimtare ndaj Norvegjisë. Fantazisti vlonjat ka luajtur 75 ndeshje me fanellën kuqezi, ndërsa është një nga shënuesit më të mirë me plot 13 gola të shënuar, i fundit me 11-metërsh ndaj Qipros, në fitoren historike 6-1, të luajtur në 13 Gusht 2009. Në krahun tjetër, Altin Lala, ish-kapiten i përfaqësueses sonë, është aktivizuar në 79 ndeshje, më shumë se të gjithë lojtarët e tjerë që kanë veshur ngjyrat kuqezi. Në 79 ndeshje, Lala ka shënuar vetëm tre gola, ndaj Rusisë dhe Zvicrës në eliminatore dhe një ndaj San Marinos në ndeshje miqësore.

Zëvendësohet i ndjeri Alfred Zijaji

Një nga vendimet e tjera që morri Komiteti Ekzekutiv, ishte edhe zëvendësimi i anëtarit të tij, Alfred Zijaji, i cili u nda nga jeta pak kohë më parë. Zijaji, ishte anëtar i K.E. që nga viti 2010, ndërsa vendin e tij në Komitet tani e zë Lulëzim Minxhozi, i cili ishte kandidati i parë në listën e zgjedhjeve të vitit 2010. Ish-futbollisti legjendar i Flamurtarit, nuk mundi të përballonte dot problemet me mëlçinë, dhe humbi betejën në moshën 52-vjeçare,  në 8 Shkurt të këtij viti.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›