E Diel, 1 Nëntor 2026

13 vite nga spastrimi etnik i shqiptarëve në Mitrovicë

Për veriun e Mitrovicës është diskutuar edhe në një tryezë të organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, KMDLNJ-në e Mitrovicës dhe me mbështetjen e Shoqatës së Gazetarëve të Mitrovicës në të cilën janë përkujtuar 10 shqiptarët e vrarë 13 vjet më parë. Aty është thënë se vrasja dhe spastrimi etnik i shqiptarëve nga ajo pjesë e vendit ndërmjet datës 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000 është kryer nga grupi kriminale serb i njohur si “Rojat e Urës”.

Raste të tilla, sipas të pranishmëve vazhdojnë të ndodhin edhe sot e kësaj dite në atë pjesë të vendit.

“Pas përfundimit të luftës, në Urën e Ibrit vendosen ushtarë të njësive të KFOR-it, duke krijuar aty një post-bllok, përmes të cilit kontrollonin herë pas here qytetarët që shkonin në pjesën veriore të qytetit. Qytetarët e Mitrovicës tregojnë se kjo ka qenë diçka jo e zakontë për ta, meqë nuk e dinin se cila ishte arsyeja e vendosjes së ushtarëve të KFOR-it te ura. Në natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, tetë muaj pas përfundimit të luftës, në këtë pjesë të Mitrovicës, ndodhën trazira të cilat ia përcaktuan fatin këtij qyteti në një drejtim krejtësisht të ndryshëm prej pjesës tjetër të Kosovës. Në orët e mbrëmjes serbët kishin dalë për të protestuar dhe sulmonin shqiptarët me armë të ndryshme e granata dore. Në mbrëmjen e 4 shkurtit numërohen 10 shqiptarë të vdekur dhe qindra të lënduar nga sulmet e një nate më parë”, u shpreh aktivistja e VETËVENDOSJE!-s, Marigonë Drevinja,

E, Halit Baranit nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Mitrovicë, foli në detaje për krimet që kanë kryer serbët në atë pjesë të Kosovës, pjesën më të madhe të të cilave i ka vetë të dokumentuara me fotografi e incizime.

“Më 2 shkurt të vitit 2000, nga Serbia erdhën 3 autobusë të mbushur me kriminel serb civil. Ata u shpërndanë në pjesën e okupuar të qytetit të Mitrovicës, në lagjet që ishin të banuara me shqiptarë. Evidentuan secilën banesë dhe secilën shtëpi ku jetonin shqiptarët. Natën e 3 shkurtit, diku rreth orës 19:30, filluan aksionin duke hyrë nëpër banesat dhe shtëpitë e shqiptarëve, duke i rrahur, torturuar dhe pushkatuar brenda shtëpive të tyre shqiptarët që jetonin në atë pjesë. Që nga ai momenti, e deri të nesërmen, u pushkatuan 10 shqiptarë pa dallim moshe e gjinie duke filluar nga fëmija 13 vjeçar e deri tek plaka 65 vjeçare. U plagosën 25 tjerë. U torturuan në mënyrën më barbare 93 shqiptarë të tjerë përderisa 11.364 të tjerë u dëbuan nga shtëpitë e tyre. Të gjitha këto u bënë para syve të “paqeruajtësve” nga KFOR-i francez dhe policisë së UNMIK-ut, të cilët nuk reaguan fare madje, madje u dilnin në ndihmë kriminelëve serb. KMDLNJ në Mitrovicë ka bërë denoncime edhe për krimet që kanë kryer vetë ushtarët francez para kësaj date”, theksoi Barani.

Ai shtoi se shqiptarët e pjesës veriore nuk janë lejuar të kthehen në shtëpitë e tyre nga ushtarët francez të KFOR-it, me pretekstin se “andej është Serbi”. Duke folur për trazirat e marsit të vitit 2004, Barani tha se, prapë në prani të ushtarëve të KFOR-it francez, u pushkatuan 4 shqiptarë, u plagosën rreth 100 shqiptarë, dhe deri më tani asnjë serb nuk ka dal para drejtësisë që të përgjigjet për këto krime.

Nënkryetari i VETËVENDOSJE!-s, Shpend Ahmeti, theksoi se ngjarjet e asaj kohe ishin të organizuara nga vetë qeveria serbe, qeveri kjo me të cilën sot po negociohet pikërisht për atë pjesë të territorit të Kosovës.

“Ngjarjet e 3-4 shkurtit të vitit 2000, kanë pasoja direkte në atë që po ndodh sot në veri të Kosovës. Ai sulm i 3-4 shkurtit nuk ndodhi rastësisht. Ishte sulm i organizuar dhe i orkestruar tepër mirë nga ana e forcave serbe. Edhe ish ambasadori amerikan Hollbrook pati thënë se në këtë aksion ishte e inkuadruar direkt qeveria serbe. Në atë kohë në Serbi ishte koalicioni i SPS-it me Partinë Radikale Serbe, koalicion që u bë në vitin 1999 dhe u rikthye në vitin 2012. Serbia e sotme është Serbia e atëhershme. Me Ivica Daçiçin, Tomislav Nikoliçin e Aleksandër Vuçiçin, që ishin në pushtet edhe atëherë dhe janë pjesë e krimeve të atëhershme, po negociohet sot për Kosovën dhe për veriun. Mes Daçiçit dhe Thaçit po diskutohet për veriun e Kosovës”, tha Ahmeti. /Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›