13 vjetori i clirimit te Kosoves Berisha uron Thacin

Kryeministri Berisha i ka dërgua një mesazh urimi homologut ët tij kosovar, kryeministrit, Hashim Thaçi me rastin e 13 vjetorit të çlirimit. Nga shtypja shekullore serbe një përvjetor që përkon me 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë dhe 134 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit
“13 vjet më parë trupat e Aleancës së Atlantikut të Veriut, trupat e paqes, hynë si çlirimtare në Kosovën e martirizuar dhe i dhanë fund përgjithmonë sundimit e shtypjes shekullore serbe. Kremtimi i “Ditë së Paqes,” që përkon me 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë dhe 134 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit, me jep kënaqësinë e veçantë, që në emrin tim dhe të qeverisë shqiptare, t’ju përcjell Ju dhe, përmes Jush të gjithë popullit të Kosovës përshëndetjet e mia më të përzemërta dhe urimet më të ngrohta vëllazërore për progresin e pandalshëm që ka arritur Kosova e lirë, e pavarur dhe sovrane”, shkruhej në letrën e Kryeministri Berisha.
Kryeministri shprehet se dita e paqes 12 qershorit, do të mbetet në memorien historike të të gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë si datë historike që mbylli kapitullin e sundimit barbar serb dhe kurorëzoi me sukses sakrificat mbinjerëzore të shqiptarëve të Kosovës në luftën e tyre legjendare për liri dinjitet dhe pavarësi. Kjo ditë e shënuar me gërma të arta në historinë e kombit shqiptar- thekson kryeministri Berisha -hapi për qytetarët e Kosovës kapitullin e paqes, lirisë dhe, mbi të gjitha, të pavarësisë, duke shndërruar Kosovën në një shtet të pavarur e sovran të njohur nga 91 shtete të botës, ku të gjithë qytetarët e saj ndihen të lirë e të barabartë, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike.
“Në këto 13 vjet Kosova ka ndërtuar jetën e saj në paqe dhe harmoni me fqinjët, duke u shndërruar në një faktor paqeje e stabiliteti në Ballkan dhe, njëlloj si të gjitha vendet fqinje, po punon intensivisht për t’u integruar në strukturat evropiane dhe euro-atlantike. Falë këtyre përpjekjeve titanike, Kosova po merr udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave dhe qytetarët e saj, si gjithë të tjerët, do të lëvizin të lirë në Evropë. Së shpejti Kosova do të nënshkruajë edhe marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit me BE, që do t’i japë një momentum të ri proceseve të saj integruese”, citej në këtë letër.
Kryeministri përmendi gjatë letrës për homologun Thaçi edhe një arritje tjetër madhore dhënien së shpejti fund të procesit përmbyllës të pavarësisë së mbikëqyrur dhe Republika e Kosovës, shtet demokratik, sovran e i pavarur, do të ecë edhe më shpejt drejt anëtarësimit në organizata të ndryshme ndërkombëtare, duke zënë vendin e saj të merituar në familjen e madhe të Kombeve të Bashkuara. Kryeministri i cilësoi këto si arritje madhore që mbushin me krenari cilindo qytetar të Kosovës multietnike, sovrane dhe të pavarur, për të cilat padyshim, sikundër theskon ai, kryeministri Thaçi ka dhënë një kontribut të çmuar personal.
“Në këtë ditë feste më lejoni zoti Kryeministër, t’Ju siguroj se qeveria shqiptare dhe unë personalisht jemi plotësisht të vendosur e të angazhuar që marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe që ekzistojnë mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, të njohin zhvillime pozitive, duke u pasuruar e zhvilluar më tej në të gjitha fushat”, vijonte mesazhi i Kryeministrit Berisha për homologun e tij kosoavra Thaçi.
Në mbyllje të mesazhit të tij në drejtim të kryeministrit të Ksovës, kreu i qeverisë së Shqipërisë uroi dhe një herë këtë ditë historike dhe ritheskoi sigurimet e konsideratës së tij më të lartë.