“130 ha të konfiskuara pas kontrolleve”
29/12/2009 Ministri Genc Pollo mbledh Komisionit Qeveritar të Tokës për verifikimin e titujve të pronësisë
Me përparësi po shqyrtojnë abuzimet e bëra në brezat turistikë për të frenuar abuzimet
Në bazë të verifikimeve të bëra në terren për verifikimi i pronësisë mbi tokat, është arritur që shteti të sigurojë një sipërfaqe prej 1 milion e 321 mijë metër katrorë tokë. Në bazë të ligjit “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore”, kjo sipërfaqe ishte marrë gjatë viteve në kundërshtim me ligjet për tokën. Në mbledhjen e organizuar të Komisionit Qeveritar të Tokës ministri i Shtetit Genc Pollo, i cili drejton procesin e verifikimit të titujve të pronësisë, ka thënë se zyrtarë të ndryshëm apo persona privatë kanë mundur që përmes mashtrimeve të përvetësojnë sipërfaqe të mëdha trojesh. Ai theksoi se me përparësi po shqyrtohen abuzimet në brezat turistikë dhe janë identifikuar jo pak sipërfaqe të marra në mënyrë të kundërligjshme. “Ky është një proces që po vazhdon, po jep frytet e veta dhe pas konfirmimit në gjykatë të këtyre vendimeve që kanë marrë komisionet përkatëse pranë prefekturave, ky fond toke i kthehet shtetit për t’u përdorur për qëllime publike, në radhë të parë për kompensimin e pronarëve”, - ka deklaruar ministri Pollo në këtë mbledhje të fundit për vitin 2009 të Komisionit Qeveritar të Tokës. Ai nënvizoi se verifikimi i titujve të pronësisë është një proces që po vazhdon dhe që po jep fryte e veta. Ministri Pollo u shpreh se ligji parashikon një periudhë trevjeçare për të realizuar verifikimin e të gjithë titujve të pronësisë. Duke paraqitur rezultatet e kontrolleve dhe hetimeve të bëra në terren, ministri i ngarkuar për të drejtuar procesin në të gjithë vendin tha se që nga miratimi i këtij ligji deri në nëntor 2009 komisionet kanë shqyrtuar 693 vendime. Në bazë të verifikimeve të kryera, u arrit të shfuqizohen titujt e pronësisë për një sipërfaqe toke bujqësore prej 130 hektarësh. Pollo bëri me dije se janë marrë gjithashtu 92 vendime për shfuqizim të plotë të akteve dhe 89 vendime për shfuqizim të pjesshëm, por dhe vendime të tjera.
Komisioni Qeveritar i Tokës funksionon përmes veprimtarisë së komisionit vendor të vlerësimit të titujve të pronësisë (KV). Në ligjin “Për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore” sipërfaqja e konfiskuara pas konfirmimit nga gjykatat kalojnë në pronësi të shtetit. Ligji parashikon se vlefshmëri ligjore kanë titujt e pronësisë private mbi tokën të krijuara te sipërfaqet që më 1.08.1991 kanë figuruar në regjistrat kadastralë në zërin “tokë bujqësore” dhe janë përfshirë në territoret e administruara nga ish-kooperativat bujqësore deri në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit 7501 “Për tokën”. Po ashtu në bazë të këtij ligji vlefshmëri kanë sipërfaqet e tjera të tokave bujqësore të administruara nga ish-ndërmarrjet bujqësore dhe institucionet e tjera shtetërore, të kaluara për ndarje për fshatrat e ish-kooperativave bujqësore vetëm me miratim të ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit deri në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit të miratuar në vitin 1998 “Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore, pyjore, livadheve dhe kullotave”, si dhe sipërfaqet e tokave bujqësore të ish-NB-ve, sipas dispozitave të përcaktuara në ligjin e dhjetorit 1995, “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”. Nuk janë objekt i dhënies së tokës në pronësi familjet fshatare ose individët që faktikisht e përdorin tokën bujqësore dhe e shfrytëzojnë atë në kufijtë e pretenduar prej tyre si pronë e parakolektivizimit dhe që nuk kanë pranuar të pajisen me aktin e marrjes së tokës në pronësi. Ata mund ta kërkojnë dokumentacionin ligjor të pronësisë sipas procedurave të përcaktuara në ligjin nr. 9235, datë 29.07.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, i ndryshuar.
Toka e konfiskuar
Në bazë të kontrollit të ushtruar për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore të krijimit të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore, rezulton se deri në fund të muajit nëntor janë konfiskuar 1 milion e 321 mijë metër katrorë tokë, ose 130 hektarë tokë, e cila ishte marrë në mënyrë të kundërligjshme nga zyrtarë abuzivë apo persona privatë. Me përparësi po shqyrtohen abuzimet në brezat turistikë, ku janë identifikuar jo pak abuzime.
Vendimet
Që nga miratimi i këtij ligji në gusht të këtij viti deri në nëntor komisionet vendore kanë arritur të shqyrtojnë mbi 690 vendime, nga të cilat ka rezultuar një sipërfaqe toke bujqësore për shfuqizim prej 130 hektarësh. Sipas të dhënave zyrtare, janë marrë gjithashtu 92 vendime për shfuqizim të plotë të akteve dhe 89 vendime për shfuqizim të pjesshëm, por dhe vendime të tjera. Sipas ligjit, kjo sipërfaqe kalojnë në pronësi të shtetit.
Kompensimi
E gjithë sipërfaqja e konfiskuar pas kontrolleve të ushtruara do të kalojë në pronësi të shtetit. Ministri i Shtetit Genc Pollo, i cili drejton kontrollet në rang vendi, tha se ky fond toke i kthehet shtetit për t’u përdorur për qëllime publike, në radhë të parë për kompensimin e pronarëve. Sipas tij, procesi po jep frytet e veta dhe pas konfirmimit në gjykatë të këtyre vendimeve që kanë marrë komisionet përkatëse pranë prefekturave.
Detyrat e komisionit vendor
KV-ja ka detyrat dhe përgjegjësitë e mëposhtme:
1. Zgjidh mosmarrëveshjet e evidentuara:
a) për kufijtë e tokës bujqësore, ndërmjet rretheve, brenda qarkut;
b) për kufijtë e tokës bujqësore, ndërmjet fshatrave (subjekteve) që kanë qenë në përbërje të së njëjtës ish-kooperativë bujqësore (vendimi u njoftohet komunave dhe/ose bashkive në juridiksionin e të cilave ndodhen këto fshatra);
c) ndërmjet individëve dhe ish-komisionit të tokës së fshatit.
Shqyrtimi i mosmarrëveshjeve bëhet me kërkesën e palëve ose me nismën e vetë KV-së.
Vendime të komisionit vendor
1. Kur gjatë verifikimit të dokumentacionit konstatohet se titulli i pronësisë mbi tokën bujqësore është lëshuar në kundërshtim me dispozitat e përcaktuara në nenet 2, 3 dhe 4 të kreut të parë të këtij ligji dhe mbajtësi i titullit të pronësisë e posedon dhe e shfrytëzon tokën bujqësore faktikisht, KV-ja merr vendim:
a) për pavlefshmërinë ligjore të titullit të pronësisë, kur “akti i marrjes së tokës në pronësi” është lëshuar mbi tokat bujqësore të ish-NB-ve, të cilat përjashtohen për kalim në pronësi nga dispozitat e ligjit nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”.
Si duhej të ishte marrë toka
Procedurat dhe dokumentacioni i titullit të pronësisë
Dhënia e tokës bujqësore në pronësi realizohet dhe vërtetohet vetëm me dokumentin bazë unik, që është “akti i marrjes së tokës në pronësi”. “Akti i marrjes së tokës në pronësi” është i vlefshëm vetëm kur ai është krijuar sipas procedurave të përcaktuara në vendimin nr. 230, datë 22.07.1991 të Këshillit të Ministrave “Për krijimin e komisioneve të tokave”, i ndryshuar dhe në udhëzimin nr. 2, datë 2.08.1991 të Këshillit të Ministrave “Për funksionimin e komisioneve të tokës në rrethe e fshatra”. Titujt e pronësisë për tokat bujqësore të ish-ndërmarrjeve bujqësore janë të vlefshëm vetëm kur ato janë krijuar sipas dispozitave të ligjit nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore” dhe procedurave të përcaktuara në udhëzimin nr. 106, datë 23.02.1996 të ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit “Për procedurat e kalimit të tokës nga përdorimi në pronësi”.
Sipërfaqet që nuk preken
Objekti i vlefshmërisë ligjore të tokës në pronësi
1. Kanë vlefshmëri ligjore titujt e pronësisë private mbi tokën, të krijuar te:
a) sipërfaqet që më 1.08.1991 kanë figuruar në regjistrat kadastralë në zërin “tokë bujqësore” dhe janë përfshirë në territoret e administruara nga ish-kooperativat bujqësore deri në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit nr. 7501, datë 19.07.1991 “Për tokën”, i ndryshuar;
b) sipërfaqet e tjera të tokave bujqësore, të administruara nga ish-ndërmarrjet bujqësore dhe institucionet e tjera shtetërore, të kaluara për ndarje për fshatrat e ish-kooperativave bujqësore vetëm me miratim të ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit deri në kohën e hyrjes në fuqi të ligjit nr. 8337, datë 30.04.1998 “Për kalimin në pronësi të tokës bujqësore, pyjore, livadheve dhe kullotave”;
c) sipërfaqet e tokave bujqësore të ish-NB-ve, sipas dispozitave të përcaktuara në ligjin nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”.
2. Nuk kanë vlefshmëri ligjore titujt e pronësisë në të gjitha sipërfaqet e tjera që më 1.08.1991 nuk kanë figuruar në regjistrat kadastralë në zërin “tokë bujqësore”, si: pyje, livadhe, kullota, tokë pyjore dhe sipërfaqe të tjera të tokës jobujqësore, pavarësisht miratimit të ndryshimeve dhe kalimeve të këtyre zërave në tokë bujqësore pas kësaj date.
Kriteret për vlefshmërinë ligjore të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore
Subjekte të përfitimit të tokës bujqësore në pronësi dhe të titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore janë personat fizikë dhe juridikë vendas. Për krijimin dhe fitimin e titujve të pronësisë mbi tokën bujqësore janë të vlefshme vetëm kriteret e përcaktuara në vendimin nr. 255, datë 2.08.1991 të Këshillit të Ministrave “Për kriteret e ndarjes së tokës bujqësore”, i ndryshuar dhe në ligjin nr. 8053, datë 21.12.1995 “Për kalimin në pronësi pa shpërblim të tokës bujqësore”, sipas procedurës së përcaktuar në udhëzimin nr. 106, datë 23.02.1996 të ministrit të Bujqësisë dhe Ushqimit “Për 5388 procedurat e kalimit të tokës nga përdorimi në pronësi.
Procedurat për titujt e krijuar në kundërshtim me ligjin
1. Kur KV-ja gjatë verifikimit të dokumentacionit dhe të vendimeve përkatëse të komisioneve të tokës vëren se krijimi i titullit të pronësisë mbi tokën është dhënë në kundërshtim me dispozitat e përcaktuara në nenet 2, 3 dhe 4 të këtij ligji dhe me vendimet e tij të marra sipas nenit 8, pikat 2 e 3 dhe nenit 9, pika 2 të këtij ligji, i paraqet gjykatës së rrethit gjyqësor përkatës një kërkesë për anulimin e aktit administrativ “akt i marrjes së tokës në pronësi”.
2. Kërkesa i paraqitet subjektit përkatës nga prefekti i qarkut brenda 7 ditëve nga data e njoftimit të vendimit për paligjshmërinë e aktit të pronësisë mbi tokën bujqësore. Objekt i kërkesës së prefektit është deklarimi i pavlefshmërisë së “aktit të marrjes së tokës në pronësi”, shfuqizimi i tij dhe kthimi i pronës në pronësi të shtetit.
3. Gjykata shqyrton kërkesën e prefektit brenda 60 ditëve, duke thirrur në proces gjyqësor edhe Avokatin e Shtetit.