E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata: Të shembet pallati 12-katësh, ndodhet në rrugë

29/12/2009  Kunati i Dashamir Pezës humb betejën me gjykatën e Tiranës. Mata: Vendimi i padrejtë
TIRANË – Gjykata e Tiranës rrëzoi dje kërkesën e biznesmenit Ilir Mata për pezullimin e shembjes së pallatit 12-katësh në qendër të Tiranës. Vendimi u dha dje në mesditë nga gjyqtarja Arjana Caco, ndërkohë që të pranishëm në gjykatë ishin të gjitha palët. Sipas gjykatës, Inspektorati i Policisë Ndërtimore mund të vazhdoi shkatërrimin e pallatit, duke e quajtur të pabazuar në prova dhe në ligj argumentin e paraqitur nga biznesmeni Ilir Mata. Mata kishte paraqitur prova sipas të cilave pretendonte se fillimi i shkatërrimit nga Policia Ndërtimore ishte i paligjshëm. Por dje gjykata argumentoi ndryshe. Ajo u shpreh në vendimin e saj se policia ka vepruar në bazë të një vendimi përkatës dhe e mbështetur në prova. Sipas vendimit të gjykatës, Ilir Mata nuk ka pasur leje për ndërtimin e pallatit mbi rrugën ekzistuese, dhe këtë gjë e ka bërë duke shfrytëzuar hapësirën pa leje. Nga ana tjetër gjykata u shpreh se Mata ka arritur ta regjistroi në zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme pronën e tij duke paraqitur dokumentacion të cunguar. Por më pas nga ana e Policisë Ndërtimore është vërtetuar se dokumentacioni i pallatit është tërhequr dhe është bërë çregjistrimi. Dokumentacioni më pas i është dërguar organit të Prokurorisë. Ndërkohë që Inspektorati i Policisë Ndërtimore u shpreh në gjykatë se veprimet për shembjen e pallatit të ndërtuar pa leje kanë filluar që në vitin 2005. Ilir Mata është kunati i Dashamir Pezës, deputetit të Partisë Socialiste. Shembja e pallatit filloi të bëhej më datë 7 dhjetor pikërisht një ditë para se të bëhej mitingu i Partisë Demokratike. U arrit të shembeshin tre katet e para e më pas punimet u ndërprenë.
Mata, vendimi i padrejtë
Ilir Mata, biznesmeni i cili ka në pronësi pallatin 12-katësh në qendër të Tiranës, është shprehur i pakënaqur ndaj vendimit të dhënë nga gjyqtarja Arjana Caco. Ky vendim i marrë dje do të apelohet nga Mata, i cili është shprehur se nuk ndihet i qetë në punën e tij. Mata pretendon se pallatin e ka ndërtuar në bazë të të gjitha rregullave dhe me leje të marrë nga Bashkia. Ndërkohë që vendimi i djeshëm i hapi rrugë Inspektoratit të Ndërtimit të vazhdojë shembjen e pallatit 12-katësh. Sipas përfaqësuesve të tij, i gjithë dokumentacioni është i plotë dhe nuk mund të pritet deri në apelim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›