14 europianë rrëmbehen nga militantë afrikanë

Militantë të armatosur në Kamerunin verior morën peng shtatë turistë francezë, midis tyre tre fëmijë të gjithë anëtarë të së njëjtës familje, informoi të martën presidenti i Francës, Francois Hollande. Disa orë më parë, në një valë sulmesh në Nigeri, shtatë punëtorë britanikë, italianë dhe grekë u rrëmbyen nga persona të armatosur, të identifikuar si pjesë e grupit terrorist të “Ansaru”-s, transmeton TCH.
Ndërsa niveli i pasigurisë në Nigeri është rritur drastikisht në vitet e fundit dhe terroristët ekstremistë të “Boko Harram”-it kanë ndërmarrë një seri sulmesh që i kanë marrë jetën me mijëra personave që prej 2010-s, kjo është hera e parë që persona të huaj rrëmbehen në Kamerun, një vend veçanërisht i qëndrueshëm dhe i qetë, krahasuar me standartet e rajonit në të cilin ndodhet.
”Ansaru”, një grup islamik i bërë i njohur nëpërmjet pengmarrjes së një shtetasi francez në qershor, ka lidhje të forta me organizatën e “Boko Harram”-it, që nga ana e saj shihet si një filial i Al-Kaedës në Afrikën Perëndimore.
Pengmarrja e shtetasve europianë dhe nigerianëve të pasur është e shpeshtë në Nigeri, duke u kthyer në një biznes fitimprurës për shumë keqbërës./Indeksonline/