14 gra e vajza të vrara në 9 muaj, protestë homazh në Fier: “Drejtësi, të ashpërsohen dënimet”

14 gra e vajza janë ekzekutuar nga partnerët apo bashkëshortët e tyre nga 1 janari i këtij viti deri këtë të enjte. Nga Tirana, Durrësi, Fieri, Elbasani, Shkodra e më gjerë, vrasje nga më makabret janë shënuar në vendin tonë, duke tronditur opinionin publik.
Konsumimi i pijeve alkoolike, lëndëve narkotike, dyshimet për tradhëti, divorcet apo edhe konfliktet e çastit janë bërë shkak për ekzekutimin e vajzave apo nënave, me të cilat bashkëshortët apo partnerët kishin ndarë jetën e tyre derisa ua morën jetën atyre.
Fieri ishte qyteti ku u mbajt edhe një protestë homazh ndaj të gjitha viktimave të krimit në familje, ku u apelua për më shumë vëmendje nga institucionet për ti dhënë fund kësaj situate.
Ndërsa vëllai i viktimës më të fundit, Sabrinës, e cila u vra nga ish-bashkëshorti, Elton Meta, tha se dënimet duhen ashpërsuar.
Sipas të dhënave të grumbulluara, çdo ditë në të gjithë vendin kemi rreth 150 raste denoncimesh të vajzave e grave për dhunë ndërsa vetëm gjatë vitit 2020, 250 gra kanë marrë urdhër mbrojtje nga policia.
Po sipas këtyre të dhënave, nga viti në vit, numri i denoncimeve vjen në rritje, ku në 6 vitet e fundit janë shënuar më shumë se 9100 raste të raportimit të dhunës në familje e ku 280 gra e vajza kanë mbetur viktima apo të dëmtuara nga krimi në familje.