Prezantohet botimi i AIDSSH : “E vërteta e inxhinierëve të kënetës së Maliqit”

AIDSSH prezantoi në Bashkinë e Maliqit botimin “E vërteta e inxhinierëve të kënetës së Maliqit”. Bëhet fjalë për një nga ngjarjet më të dhimshme të kohës së regjimit komunist, arrestimit ekzekutimit dhe dënimit të grupit të inxhinierëve të stigmatizuar si “sabotator”, në vitin 1946 gjatë punës për tharjen e kënetës së Maliqit.
Botimi “E vërteta e inxhinierëve të kënetës së Maliqit”, i cili bëhet i njohur për shoqërinë dhe veçmas të rinjtë, është punuar nga historianë mbi bazën e dokumenteve nga arkivi i ish-Sigurimit të Shtetit.
Prof. Asoc. Dr. Sonila Boçi e Institutit të Historisë në Qendrën e Studimeve Albanologjike mbajti fjalën e saj mbi studimin “Dënimi i inxhinierëve të kënetës së Maliqit, pjesë e justifikimeve për dështimet e regjimit komunist” mbi dosjet e Sigurimit mbi inxhinierët e Maliqit.
Në vijim, znj. Liliana Çoçoli e AIDSSH bën një paraqitje të materialeve arkivore të ish-Sigurimit të Shtetit mbi inxhinierët e dënuar. Zonja Çoçoli është mbesa e inxhinierit të mirënjohur, Kujtim Beqiri, ende pa varr.
Zoti Simon Mirakaj, anëtar i AIDSSH foli mbi dëshmi të të dënuarve në Maliq, të cilët i kanë publikuar kujtimet e “kampit të vdekjes”, siç u mbiquajti kampi i Orman Pojanit në Vloçisht.
Të rinj të Maliqit interpretuan pjesë të poemës “Kanali” të Arshi Pipës, i dënuar në kampin burg të Vloçishtit, me intelektualë të tjerë, mes të cilëve, Mitrush Kuteli, Jusuf Vrioni, Sami Repishti, Halit Selfo, Vexhi Buharaja, Pashko Gjeçi, Sulejman Vuçitërna, Hafiz Ali Kraja, Atë Josif Papamihali, sot martir, etj.
Takimi u zhvillua në kuadër të projektit të ICMP-AIDSSH “Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për drejtësinë tranzitore dhe pajtuese: adresimi i çështjes së personave të zhdukur gjatë periudhës komuniste”, i mbështetur nga Bashkimi Europian dhe Ambasada Zvicerane.