14 maji/ Alibeaj: Belind Këlliçin e ftuam të garonte për PD-në, Berisha pazar me Ilir Metën për zgjedhjet

Kryetari i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka deklaruar në një konferencë për mediat se Berisha dhe Meta kanë hyrë në pazar me njëri-tjetrin për zgjedhjet vendore të 14 majit.
Ai theksoi se ky pazar ka të bëjë me faktin që demokratët të votojnë një parti të majtë siç është Partia e Lirisë së Ilir Metës. Madje, Alibeaj vuri në dukje se edhe Belind Këlliçit i ishte shtrirë dora për të kandiduar për PD-në.
“Dora jonë ka qenë e shtrirë për ata kandidatë të foltores. Belind Këllici e ka pasur mundësinë të përfaqësohet nën silgën e PD-së. Interesat mesnike të politikës së vjetër vazhdojnë akoma duke iu kërkuar demokratëve që të votojnë për siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim. Nën siglën e saj do të votojnë edhe Belind Këlliçin. Pazari mes Sali Berishës dhe Ilir Metës, është që demokratët të votojnë një parti të majtë”, theksoi Alibeaj.
Alibeaj u përgjigj edhe për akuzat se ai është i kapur nga kryeministri Edi Ramës. Ai nënvizoi se duket qartë luksi i atyre që kanë nisur fushatën elektorale.
Sipas Alibeajt, po të ndjekësh paratë, ato të çojnë tek Edi Rama.
“Ka pasur edhe ndaj meje akuza se jam peng i Edi Ramës, por nuk kam zgjedhur të përgjigjem duke ruajtur etikën dhe kam zgjedhur të mos u përgjigjem shpifjeve të tilla. Të mos përdor as epitete të caktuara për kundërshtarët politikë. Nuk kam parë ndonjë fakt se kam bashkëpunuar me Edi Ramën apo ndonjë nga Rilindja. Kam zgjedhur të jem transparent. Unë s’mund të akuzoj pa fakte konkrete, të akuzoj dikë apo dikush që është bashkëpunëtor i Edi Ramës. Siç thonë prokurorët se në politikë duhen ndjekur paratë. Dhe po të ndiqni paratë, të gjitha rrugët të çojnë te Edi Rama”, përfundoi Alibeaj.
/rtsh.al/