E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

14 maji/ Alibeaj thirrje demokratëve dhe socialistëve: Të bëhemi një kundër Edi Ramës

Kreu i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka deklaruar nga Mallakastra se grupimi i tij politik u ka shtrirë dorën e bashkëpunimit demokratëve që janë rreshtuar me grupin e “Rithemelimit” të Sali Berishës për t’iu kundërvënë regjimit të Edi Ramës.

Gjatë prezantimit të kandidatit Agron Kapllanaj për kreun e Bashkisë së Mallakastrës, Alibeaj vuri në dukje se grindjet brenda Partisë Demokratike duhen lënë mënjanë dhe për t’u bashkuar kundër qeverisë së kryeministrit Rama.

“Duke shtrirë dorën, duke u thënë njerëzve po sot e keqja më e madhe është Edi Rama  dhe regjimi i tij. E për këtë arsye do të duhet të bëhemi të gjithë bashkë e të lëmë ato grindjet e vogla, divergjencat e vogla, t’i lëmë pas kurrizit sepse është emergjente.

Për shqiptarët, për mallakastriotët është emergjente që të përballemi me regjimin atje lart por edhe këtu poshtë. E për këtë kemi shtrirë dorën, u kemi bërë thirrje vëllezërve tanë.

Duke u shtrirë dorën dhe duke u thënë , po kush është më i miri për t’i dalë zot në zgjedhjet lokale, ai duhet të përfaqësojë shqiptarët, ai duhet të përfaqësojë mallakastriotët.

E mbani mend thirrjen që Agron Kapllanaj ka bërë këtu para jush dhe jo vetëm këtu: kush është më i miri le të dalë ballë dhe të marrë mbështetjen e mallakastriotëve, sepse është emergjente pikërisht ajo që thashë pak më parë, t’i dalim përballë së keqes”, u shpreh Alibeaj.

Sipas Alibeajt zgjedhjet e 14 majit, përbëjnë një çast të rëndësishëm për fatin e Shqipërisë dhe Partisë Demokratike.

Për këtë aryse, ai bëri thirrje që demokratët të bëhen bashkë në zgjedhjet vendore. Madje, Alibeaj ftoi edhe socialistët që të votojnë kundër kandidatëve të Edi Ramës.

“Çfarë ka ndodhur me PD dhe ketu dua te jem i qartë dhe i sinqertë duke bërë thirrje jo vetëm demokratëve, por dhe atyre që nuk janë të angazhuar në parti.

U bëj thirrje dhe socialistëve. Sot është nje moment historik që kërkon nje angazhim nga të gjithë shqiptarët, ashtu sic Mallakastra e ka pasur zakon dhe e ka treguar, sic do ta tregoje dhe me 14 Maj.

Kjo ështe ajo  që duhet te bejme për të rikthyer dhe një here jo bashkinë ku vidhet, të nepotizmit, jo bashkinë ku perdoret për te shantazhuar biznesit, për te larguar njerëzit nga puna, ku projektet vendosen dhe i zë pluhuri i harresës.

Jo bashkinë që përdorët per te punesuar militantë, por vetëm njerëzit intelektual, profesionist, të rinj të këtij qyteti dhe te kesaj bashkie”, u shpreh Alibeaj nga Mallakastra.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›