Rama në Belsh: Nga grumbull plehrash, në destinacion turistik. Duhet të bëhet pasqyrë rrezatuese e një bujqësie të re

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar nga Belshi se dikur ky vend ishte një pellg i rrethuar nga plehrat, ndërsa sot është një atraksion turistik.
Rama u shpreh se brenda një viti janë regjistruar 150 mijë vizitorë dhe turistë në Belsh, ndërsa premtoi se me fitoren e kandidatit socialist më 14 maj, do të rriten investimet e turistët.
“Ky liqen ishte si një pellg i rrethuar nga plehra, ferra. Dhe bëm aktivitetin e parë në aksin kryesor, medemek bulevardi që ishte gjithë gropa, që atëherë e kam parë të ardhmen e Belshit, te ky liqen. Vetëm sa kemi filluar ta vëmë në punë.
Nëse sot jemi në një situatë ku brenda një viti, vijnë 150 mijë vizitorë dhe turistë, ndërkohë që atëherë kush jetone këtu e kishte mendjen të ikte”, tha Rama.
Belshi, theksoi Rama duhet të bëhet shembulli i ndërmarrjes së re bujqësore, që njerëzit të bahskojë forcat dhe dijen për të prodhuar me cilësi e për ta shitur produktin së bashki.
Sipas kreut të qeverisë, Belshi duhet të bëhet pasqyrë rrezatuese e një bujqësie të re.
“Këtu ne po ecim me energjinë e rinovueshme, me sistemin e grumbullimit. Siç kam dashur që Belshi të bëhej një shembull dhe është sot një nga shembujt e rilindjes urbane, do bëjmë çmos që të bëhet shembull i ndërmarrjes së re bujqësore ku njerëzit bashkojnë forcat, dijen, për të prodhuar me cilësi dhe për ta shitur së bashku. Se duke pasur sasi të madhe, je ti që vendos çmimin.
Kjo është një ambicie që do e realizojmë sepse Belshi duhet të bëhet pasqyrë rrezatuese e një bujqësie të re. Prodho dhe dil në tregjet ndërkombëtare si një komunitet dhe pastaj secili sipas sasisë së prodhimit, merr të ardhurat e veta”, shtoi ai.
Më tej, Rama u ndal te gjenerata e re e sistemit të ujitjes. “Kemi bërë punë të jashtëzakonshme për pastrimin e kanaleve, por duhet të kalojmë nga kanalet ujitës, te uji që vjen me tubacion dhe çdo fermer e racionon dhe ujëmbledhësi strategjik përdoret në mënyrë racionale”.
/rtsh.al/