E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

14 maji/ Lajla Pernaska: Ku i çon fondet Bashkia e Tiranës, s’ka transparencë për paratë e qytetarëve

Lajla Pernaska është e vetmja grua kandidate që konkuron për zgjedhjet e 14 majit për kreun e Bashkisë së Tiranës. 

RTSH ndoqi hapjen e fushatës së ish-deputetes dhe takimin ku ajo shpalos prioritetet e platformës së saj elektorale. Gjatë intervistës për RTSH-në, Pernaska tha se ajo që i duhet sot kryeqytetit është transparenca me paratë e qytetarëve.

Sipas Pernaskës, Bashkia e Tiranës nuk jep asnjë informacion se ku i çon fondet dhe taksat e qytetarëve.

“Fushata dhe programi im i drejtohet çdo banori të Tiranës. Fokusi është që të zhvillohet Tirana duke i dhënë frymëmarrje biznesit dhe sipërmarrjes për të gjitha kategorinë.

Në konceptin tim, mirëqeverisja lidhet me transparencën që e shoh që mungon nga mënyra se si është drejtuar bashkia e Tiranës në gjithë këto vite.

Futu në faqen e bashkisë së Tiranës nuk gjen informacion ku shkojnë fondet, si i ndajnë fondet. Ku shkojnë projektet, sa janë shpenzimet. Nuk ka fare mundësi qytetari që të marrë informacion aq më tepër të japë kontribut. Ne kemi të drejtën të marrim pjesë në qeverisjen e qytetit tonë, por e kemi të mbyllur këtë derë aktualisht”, u shpreh Pernaska.

Ajo vuri në dukje se nëse vjen në krye të Bashkisë së Tiranës do të bëjë transparencë të plotë dhe do të matë performancën e vetë bashkisë.

“Nëse marr kreun e bashkisë, gjëja e parë që do bëja do të ishte transparenca në bazë të një treguesi që quhet rapori i eficencës, matjen e eficencës së çdo punonjësi të bashkisë.

Unë do ta çliroja bashkinë nga militantizmi partiak.

E kemi provur në vite që partitë kanë priroritet militantizmin për punësimet edhe në institucionin e bashkisë. Kjo i ka bërë dëm mbarëvajtjes së punës së bashkisë”, theksoi Pernaska.

 Ajo shpjegoi se si do të zgjidhë edhe çështjen e trafikut në Tiranë dhe atë të transportit publik.

“Gangrena që ne përballemi çdo ditë është trafiku. Në Tiranë nuk ka arritur të ketë një planifikim real dhe mirëstudiuar se si të realizohet edhe qarkullimi edhe i mjeteve brenda territorit të bashkisë së Tiranës.

Unë po punoj intensivisht edhe me specialistë në radhë të parë për të pasur një planifikim të qartë edhe në raport me shërbimin e transportit publik edhe me gjithë makinat private.

Por kjo do të shkojë paralelisht me projekte konkrete, qoftë me mbikalime, qoftë me nënkalime aty ku duhet të ishte bërë me kohë. Unë e shoh Tiranën në një investim afatgjatë që çdo investim që bëhet sot t’u shërbejë brezave”, nënvizoi Pernaska.

Gazetare: Sonila Agostini

/rtsh.al/ 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›