14 maji/ Bejko për RTSH: Synimi ynë, të zhvillojmë ekonominë e Tiranës

Kandidati i Partisë Demokratike për Bashkinë e Tirabës, Roland Bejko, ka renditur pikat kryesor të programit të tij, duke vënë theksin se synimi kryesor është zhvillimi ekonomik. Në një intervistë për RTSH, Bejko u shpreh se tre shtyllat ku ai do të fokusohet janë turizmi, bujqësia dhe shërbimet ndaj qytetarëve.
“Do ta zhvillojmë ekonominë e Tiranës, do i japim prioritet turizmit, bujqësisë, që ka zero investime nga bashkia, do bëjmë 3 zona të lira ekonomike, Krraba, Kashari dhe Ndroqi. Shërbimet ndaj qytetarëve duhet të përmirësohen në Tiranë”, tha Bejko.
Ai shtoi se një tjetër angazhim është ulja me 12% e taksës së qytetarëve për ndërtimin dhe se do të heqë taksën e infrastrukturës vendore dhe shkollore, që i konsideroi si “taksë e tepërt”.
“Ne angazhohemi të ulim nga 12% që është taksa e qytetarëve për ndërtimin në 5% dhe 3% që e ka detyrim kompania e ndërtimit tja paguaj bashkisë, ne do e marrim në dy forma, një pjesë në vlerë leku dhe një pjesë në objekt me qëllim që të ndihmojmë qytetarët e pastrehë, çiftet e rinj dhe sidomos nënat që janë kryefamiljare. Pretendojmë të ulim taksat në 50%, do i kërkojmë qeverisë të na japë këtë drejtë. Do përpiqemi ta formalizojmë ekonominë dhe të zgjerojmë bazën e tatimpaguesve dhe kështu do fitojmë në arkën e bashkisë rreth 70 mln euro plus. Do heqim taksën e infrastrukturës vendore dhe shkollore sepse është një taksë e tepërt”, u shpreh Bejko.
/rtsh.al/