14 maji/ Boçi në RTSH: Do ndërtojmë Teknopolis-in në Elbasan, u ofrojmë të rinjve shpresë

Kandidati i “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Elbasanit, Luçiano Boçi në një intervistë për RTSH deklaroi se Elbasani ka mundësi reale të jetë një pol ekonomik që plotëson trekëndëshin e qyteteve të mëdha të Shqipërisë së mesme.
Sipas Boçit, Elbasani sot nuk ofron më cilësinë e jetës.
“Elbasani të ndjekë trendin e Tiranës dhe Durrësit pasi vetë autostrada donte ta stimulonte por sjellja e bashkisë ka qenë penguese dhe ka bërë që Elbasani të jetë p[ika më e dobët e këtij trekëndëshi.
Më shqetëson pjesa e hirtë e qytetit, trishtimi, mbyllja e jetës, zbrazja, mungesa e të rinjve dhe madje ikja e njerëzve. Elbasani nuk ofron më cilësinë e jetës”, tha ai.
Boçi vuri më tej theksin te largimi i të rinjve, duke thënë se Elbasani nuk ofron mundësi punësimi dhe shpresë për ta. Por, ai shtoi se, me anë të ndërtimit të Teknopolisit, të rinjtë do iu ofroheshin mundësi reale. Boçi theksoi se Teknopolis, do ofronte ardhjen e shumë laboratorëve, të ndërmarrjeve që do lëshojnë patenta të precizionit të lartë që do shndërrohen në laboratorë të start up-eve për të rinjtë.
“Një i ri që ikën nga Elbasani, në Tiranë kërkon të gjejë punën, argëtimin dhe një lloj shprese për projeksionin e jetës.
Sot Elbasani nuk ja ofron sepse tregu i punës është i standartizuar. Ideja jonë dhe negociata jonë, që është drejt konkretizimit, për të ndërtuar Teknopolis-in në Elbasan, është ideja më atraktive për të rinjtë. Kjo do krijonte mundësi që, e marra në fushën e teknologjisë të aplikohen në Elbasan, sepse Teknopolisi do ofronte ardhjen e shumë laboratorëve, të ndërmarrjeve që do lëshojnë patenta të precizionit të lartë që do shndërrohen në laboratorë të start up-eve për të rinjtë. Do shoqërohet me hapjen e degëve të reja inxhinierike në universitetin e Elbasanit dhe në bazë të ligjit për arsimin e lartë mund të atashohet si kontributore, jo thjesht financiare, por dhe ideuese, pasi parashikohet që bashkia mund ta financojë një universitet, që ky i fundit t’i krijojë frymëmarrje ekonomisë.
S’do jetë i vetëm, do shoqërohet me kampusin universitar. Kemi patur një projekt që nga 2013 për ta ndërtuar, do ta realizojmë në bashkëpunim me qeverisjes”, shtoi ai.
Stimulimi i të rinjve në biznes, është një tjetër premtim i Boçit. Ai premtoi heqjen e çdo detyrimi për një vit ndaj bashkisë të çdo të riu që hap një biznes.
“Pjesa tjetër, është stimulimi i të rinjve në bizneset e tyre. Bashkia premton heqjen e çdo detyrimi për një vit ndaj bashkisë të çdo të riu që hap një biznes. Dhe çdo i ri që mbaron studimet e larta do të kryejë një stazh 6-mujor pranë bashkisë me qëllim që të perfeksionohen nga ana profesionale te drejtimet e tyre të diplomës, që të përballen me tregun e punës”, tha Boçi.
Në projektin e tij për Elbasanin, kandidati i “Bashkë Fitojmë” premtoi ndërtimin e lulishteve në çdo grup pallatesh apo lagjesh, pasi siç tha ai vetë, ky qytet është betonizuar.
“Pjesa e gjelbër është minimizuar për shkak të ndërhyrjeve pa kriter nga bashkia.
E gjithë pjesa e lulishtes, sot është betonizuar se po ngrihet pallat shumëkatësh dhe brenda pallatit është futur dhe pjesa e bashkisë, që ngjan me një qendër tregtare.
Në projektin tonë për Elbasanin, duam që lulishtet të jenë në çdo grup pallatesh, apo lagje të caktuara.
Sot ndotja ekziston dhe në pjesën e komunave Shirgjan dhe Gjergjan, pasi vendosja e inceneratorit dhe lëvizja e erërave, bën që tymrat kancerogjenë të vijnë në Elbasan dhe në pjesën tjetër të këtyre ish-komunave”, përfundoi Boçi.
/rtsh.al/