14 maji/ Celibashi nuk regjistron PD-në e Alibeajt në zgjedhje, njeh Bashën dhe jo Berishën për kryetar

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, ka rrëzuar kërkesën e PD-së së drejtuar nga Alibeaj për regjistrim në zgjedhjet vendore të 14 majit, si dhe ka njohur Bashën për kryetar të PD-së dhe jo Berishën.
“Vendos mospranimin e kërkesës së Partisë Demokratike të Shqipërisë me kryetar zotin Lulzim Basha, për t’u regjistruar si subjekt zgjedhor në zgjedhjet e datës 14 maj 2023. Kundër këtij vendimi keni të drejtë të ankimoni në KAS brenda 3 ditësh”- ky ishte vendimi i Celibashit, i cili nuk u tërhoq nga ajo çka kishte vendosur pak ditë më parë.
Sipas tij, nga momenti që u kërkuam të vihet në dispozicion një dokumentacion i plotësuar nga ana e PD-së, për të përmbushur të gjitha kushtet si subjekt zgjedhor, dhe, meqënëse nuk ka asnjë dokument tjetër, jemi në të njëjtën situatë si seancën e shkuar.
“Meqënëse nuk kemi kërkesë tjetër shtesë, unë mendoj që të japim vlerësimin tim mbi kërkesën për regjistrimin e PD-së për zgjedhjet e 14 majit 2023. Kjo çështje ka patur një shqyrtim administrativ. Vetëm nga aktet dokumentare, është e qartë për këdo që i ka njohur këto dokumente se çështja e përfaqësimit ligjor ka qenë në diskutim. Këtu nuk marr në konsideratë konfrontimin tuaj në këtë çështje, pasi nuk është në interesin e KQZ-së.”- tha Celibashi.
Sipas tij, qëndron pretendimi i njërës palë që Lulzim Basha është kryetar i PD-së, pasi kështu rezulton në regjistrimin e partive politike dhe nuk qëndron qëndrimi i PD-së se Sali Berisha është kryetar i PD-së.
“Pala e Bashës, që ka paraqitur kërkesën për regjistrimin në zgjedhje, ka legjitimitetin e plotë. Pra në vlerësimin tim, në pikëpamje formale, Lulzim Basha, ose persona të autorizuar, kanë legjitimitetin për të paraqitur kërkesën për t’u paraqitur si subjekt zgjedhor.”- tha Celibashi.
Sipas tij, mundet që deklarata të nënshkruhet edhe nga nënkryetari i Partisë, në disa raste, por duhet që organet e tjera të partisë të dorëzonin në Gjykatë vendimmarrjen që ngarkon një person tjetër.
“Organet e tjera drejtuese duhet të depozitonin në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë vendimin që kryetari i PD-së, ka dhënë dorëheqjen. Si ligji për partitë, ashtu edhe Kodi Zgjedhor, nuk e detyron një parti të zgjedhë kryetarin e ri, por një parti mund të vendosë për një organ tjetër që ta zëvendësojë. Organet e tjera drejtuese të PD-së kanë patur një vit kohë për ta bërë diçka të tillë. Vetëm kështu nënkryetari i PD, Alibeaj, do të ishte kryetar”- theksoi Celibashi.
Kryekomisioneri, me këtë rast, ka hedhur poshtë edhe pretendimet e përfaqësuesit ligjor të PD-së, Sefa, se, “me veprimet dhe mosveprimet tuaja në kohë, i kanë shkaktuar PD një dëm, duke mos i dhënë mundësi që të marrim pjesë në koalicione”.
Por sipas Celibashit, PD, si parti politike, nuk e ka humbur afatin për tu regjistruar si subjekt zgjedhor, si dhe nëse do të marrë pjesë në koalicion, pasi çdo kërkesë për regjistrim si subjekt zgjedhor e partive politike që është paraqitur para datës 7 mars, konsiderohet se është bërë në afat.
“Në finale, nëse rezulton se ka legjitimetin dhe do të rezultonte se kishte legjitimitetin për t’u regjistruar, do të regjistrohej, sepse kërkesa është bërë brenda afatit. Në vlerësimin tim, nga ai dokumentacion, nuk plotësohen kushtet, megjithë sensibilitetin e çështjes për të cilën rikonfirmoj se jam tërësisht i vetëdijshëm.”- tha Celibashi.
/rtsh.al/