Luan Rama: Politikanët e ’90 po pengojnë hyrjen e një brezi të ri. E pafalshme çfarë po ndodh në PD

Diplomati dhe shkrimtari Luan Rama ishte i ftuar në emisionin “Në Radio” që u transmetua paraditen e sotme në Radio Tirana 1.
I pyetur nga gazetari Andri Xhahu për sfidën më të madhe gjatë karrierës së tij politike, Rama u shpreh: “Sfida më e madhe ishte koha e luftës së Kosovës. E kam përjetuar atë periudhë. Kam qenë në krye të Ambasadës.
Pa hyrjen e Francës në luftë kundër Jugosllavisë së Millosheviçit nuk do të ekzistonte kjo luftë. Ishte shumë i rëndësishëm pozicionimi i Francës pro luftës, pro Amerikës, Anglisë dhe Gjermanisë, që atëherë quhej Grupi i Kontaktit. Kujtoj takimet me liderët kosovarë, konferencën e Kleberit, apo Rambujeja ku shkonim vazhdimisht, për sensibilizimin e elitës franceze, shumë aktivitete për Kosovën.”
Rama ka shkruar edhe një libër, një homazh për Kosovën dhe për mbështetjen që i dha Franca. “‘Nën hijen e eklipsit’ e kam shkruar për Kosovën, për të gjitha veprimtaritë dhe kontaktet politike të kohës së luftës.”
Rama ka ushtruar detyrën e diplomatit në Paris, Lisbonë e Monako që prej vitit 1992.
Sipas tij, sa ka ndryshuar ndër vite perceptimi i të huajve për shqiptarët?
“Perceptimi ka ndryshuar. Me emigracionin e fillimviteve ’90 dhe me ngjarjet e ambasadave, u krijuan disa incidente që krijuan një imazh jo të mirë të shqiptarëve. Kjo erdhi gradualisht duke u zbehur.
Në perëndim u vendosën një pjesë e elitës shqiptare dhe u krijua një imazh tjetër. Sot nuk ekziston ai mendim i dikurshëm. Shqiptarët në perëndim janë simpatikë, me karakter të qëndrueshëm, janë intergruar mirë. Elita shqiptare në Francë është shumë e integruar, janë personalitete që kontribuojnë.
Ajo që mbetet për t’u bërë është që kjo elitë të shërbejë akoma më shumë si një urë bashkëpunimi mes Francës apo kujtdo vendi tjetër me Shqipërinë.”
Gjatë intervistës, Luan Rama u ndal edhe në tranzicionin e gjatë shqiptar që sipas tij është një nga problemet më të mëdha me të cilat po përballet vendi ynë.
“Ne flasim akoma për tranzicion dhe kjo është e pafalshme. Kjo është përgjegjësi e klasës politike shqiptare. Shohim të njëjtat fytyra në politikë. Këta politikanë që janë që nga ndryshimet politike të viteve ‘90 e deri sot, e kanë penguar hyrjen në politikë të një brezi tjetër.
Nuk kemi figura të reja. Ka plot njerëz të mrekullueshëm që kanë studiuar edhe jashtë, të cilët vërtet mund të krijojnë një klasë të re politike për të cilën kemi nevojë. Kur vjen nga perëndimi një politikan i ri e di shumë mirë se sa e nevojshme është pluralizmi dhe rotacioni politik.”
Pavarësisht këtij ngërçi politik, Rama shprehet se Shqipëria ka pësuar një zhvillim të madh. “Roli politik sidomos në kuadrin e integrimit europian është befasues dhe shumë i mirë.
Lajmet që shumë samite mbahen në Shqipëri kanë të bëjnë me një vizion politik. Kemi qytete që po zhvillohen bukur, ndërtimet, rrugët. Por duhet bërë më shumë në menaxhimin e shtetit, bllokazhet politike si për shembull ngjarjet me Partinë Demokratike. E pafalshme që ndodhin gjëra të tilla.”
Emisioni “Në radio”, i gazetarit Andri Xhahu transmetohet në Radio Tirana 1, çdo ditë nga e hëna në të premte, ora 10:00 – 12:00.
/rtsh.al/