14 maji/ Pas Gjiknurit dhe Alibeajt, Kim takohet me Ilir Metën! Kryetari i PL: Qeveria ka rrëmbyer parlamentin

Ambasadorja Yuri Kim ka takuar Kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta, takim që vjen në vazhdën e takimeve me drejtuesit e partive politike, në kuadër të zgjedhjeve vendore të 14 Majit.
Gjatë takimit 40 minuta, Meta është shprehur se qeveria ka rrëmbyer parlamentit duke hedhur poshtë të gjitha kërkesat për komisionet hetimor dhe interpelancat e opozitës.
“Bllokimi i Komisioneve Hetimore, interpelancave dhe një serie projektligjesh të propozuara nga Partia e Lirisë, por edhe nga partitë e tjera të opozites, do të thotë rrëmbimi defakto i Parlamentit nga Qeveria, duke synuar asgjësimin e kontrollit mbi qeverisjen si dhe bllokim i adresimit në Kuvend të shqetësimeve shumë të mëdha të qytetarëve në lidhje me qeverisjen, e veçanërisht më korrupsionin”, tha Meta.
Meta theksoi gjithashtu si shqetësuese “përdorimin e administratës shtetërore, financimeve të buxhetit të shtetit, por dhe veprimtari të tjera klienteliste, në funksion të manipulimit dhe shitblerjes së votës, që lidhet drejtpërdrejtë me zgjedhjet e 14 Majit”.
Ndër të tjera Meta tha se vendi po përballet me një “korrupsioni galopant dhe endemik dhe ka një rëndim të mëtejshëm të gjendjes lidhur me pastrimin e parave, narkotrafiqeve dhe veprimtarisë kriminale në vend”, ndërsa përshëndeti angazhimin e DEA-s në Shqipëri, lidhur me veprimtarinë e narkotrafikut.
Në fund Meta njofton se shprehu në prani të ambasadores Kim “vullnetin e palëkundur të Partisë së Lirisë për të kontribuar për zgjedhje të lira, të ndershme dhe brenda standardeve europiane”.
Më herët, ambasadorja Kim u prit në selinë rozë nga Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri dhe më pas u takua me kreun në detyrë të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj në Kryesinë e Kuvendit.
Në të dyja takimet, Ambasadorja Kim ka shprehur mbështetjen e SHBA ndaj Shqipërisë për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
/rtsh.al/