E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

14 maji/ Rama në Pogradec: Do ndërtojmë shëtitore buzë liqenit! Ilir Xhakolli: Kemi gati projektet për transformimin e bashkisë

Partia Socialiste vijon me fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 14 majit, duke kërkuar votën e qytetarëve për kandidatët e saj për kryebashkiakë. Kreu i Partisë Socialiste, njëherazi edhe kryeministri i vendit, Edi Rama u ndal pasditen e kësaj të hënë (1 maj) në Pogradec, ku përmendi disa nga projektet që, sipas tij, do transformojnë bashkinë.

Rama tha se është në proces një projekt i madh me vlerë rreth 15 milionë euro për të gjithë zonën e Drilonit, teksa shtoi se një tjetër projekt është gati po ashtu për ndërtimin e një shëtitoreje buzë liqenit.

“Nuk e kemi përfunduar projektin e madh të ujit të pijshëm në të gjithë vendin, por tashmë është i disponueshëm për shumë më tepër familje sa ndonjëherë tjetër në historinë e Shqipërisë. Kështu si në Pogradec, ku ka për të mbetur vetëm një komunë, Trebinja ku po punohet për ujësjellësin, gjithë pjesa tjetër ka ujë të pijshëm 24 orë. Kjo është arritje e rëndësishme historike. Pas dekadash të tëra nuk ka më ujëra të ndotur që derdhen në liqen ku shtrihet pasuria më e madhe e këtij komuniteti që është shtysa më e fortë këtu për të investuar edhe më shumë e për ta bërë edhe më shumë Pogradecin destinacion turistik. Ne kemi në proces një projekt të madh, rreth 15 mln euro që është në kantier për të gjithë zonën e Drilonit, kemi projektin për shëtitoren buzë liqenit, një projekt që do ta transformojë Pogradecin njësoj si Lungomarja transformoi Vlorën”, tha Rama.

Kandidati lir Xhakolli i kërkoi votën qytetarëve, teksa tha se në 4 vitet e ardhshme do të punohet për të transformuar të gjithë bashkinë. Xhakolli theksoi se ai ka projektet e duhura dhe mbi të gjitha, shtoi ai, mbështetjen e  qeverisë për t’i realizuar.  

“Kemi ende shumë për të bërë dhe kërkojmë votëbesimin sepse një bashki nuk mund të bëhet për 4 vite, sidomos bashkia e Pogradecit që ka qenë lënë ën harresë. Duke vazhduar me të njëjtin bashkëpunim me qeverinë, në 4 vitet e ardhshme do bëjmë një transformim tërësor të kësaj bashkie. Ne dimë t’i mbajmë premtimet dhe kemi projektin që i duhet Bashkisë së Pogradecit dhe kemi mbështetjen e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama”, tha ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›