14-vjetori i vrasjes së Azem Hajdarit, FRD: Të rihapet dosja

Humbja më e madhe për të djathtën dhe demokracinë. Të tillë e ka cilësuar vrasjen e deputetit Azem Hajdari, 14 vjet më parë në qendër të Tiranës, Fryma e Re Demokratike. Në një deklaratë për 14-vjetorin e vrasjes së Azem Hajdarit FRD ka shprehur nderim dhe respekt ndaj figurës së tij, ndërsa ka kërkuar rihapjen e dosjes së vrasjes.
“12 shtatori është një moment reflektimi për politikën shqiptare. Po përfundon koha e idhujve të rremë dhe e gjithë atyre që punojnë kundër interesave kombëtarë” thuhet në deklaratën e FRD-së.
Azem Hajdari ishte një nga figurat më të rëndësishme të politikës pluraliste. Ai u qëllua për vdekje pranë selisë së Partisë Demokratike në 12 shtator të 1998 së bashku me truprojën e tij Besim Cerja. Azem
Hajdari u shqua për vetitë e tij, që në fillimin e Lëvizjes Studentore të vitit 1990 për të vazhduar më pas me veprimtarinë e tij politike, duke mbetur në kujtesën historike si një udhëheqës me vlera të rralla demokratike e patriotike, për të cilat atij i është dhënë, pas vdekjes edhe Urdhri i lartë "Gjergj Kastrioti Skënderbeu".