140 raste dhune në familje në Shkodër, “Gruaja te Gruaja” ngre shqetësimin gjatë 16 ditëve

Në 16 ditët e Aktivizimit kundër Dhunës me Bazë Gjinore Organizata “Gruaja te Gruaja” ka bërë me dije se gjatë këtij viti janë regjistruar 140 raste të reja të dhunës në familje në zonën e Shkodrës.
Ka qenë vetë presidentja e kësaj organizate Trëndelina Boriçi e cila e deklaroi këtë fakt, ku sipas saj shifrat tregojnë se dhuna në familje vijon të jetë një problem shqetësues që kërkon reagim të menjëhershëm institucional dhe shoqëror.
“Organizata duke bashkëpunuar dhe me institucionet ka trajtuar 140 raste të reja ku gruaja trajtohet në qendrën tonë. Përveç rasteve të tjera ku një grua mund të vij disa herë për problematika të ndryshme dhe numri arrin në 350 duke shënuar një rritje në krahasim me vitin e kaluar”, u shpreh Trëndelina Boriçi, Presidente e Organizatës “Gruaja te Gruaja”.
Presidentja e organizatës “Gruaja te Gruaja” ka edhe një mesazh për të gjitha gratë.
“Po nuk fole nuk dëgjohesh dhe nuk mund të shpëtohesh”, tha ajo.
Në kuadër të 16 Ditëve të Aktivizimit kundër Dhunës me Bazë Gjinore, organizatat “Gruaja tek Gruaja” dhe “Zyra për Djem dhe Burra”, në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër dhe Teatrin “Migjeni”, organizuan shfaqjen teatrore “Andrra e Jetës”. Shfaqja ka për qëllim të ndërgjegjësojë komunitetin mbi fenomenin e dhunës, duke përcjellë mesazhe reflektimi dhe fuqizimi për gratë dhe vajzat.
Gazetar: Mirsad Rakaj
/rtsh.al/