142 akuza, ish-kryebashkiaku i Stambollit rrezikon 2,352 vite burg

Prokurorët turq ngritën këtë të martë, 11 nëntor, 142 akuza ndaj ish-kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoğlu, i cili ndodhet në burg, duke nënkuptuar se nëse shpallet fajtor për të gjitha, ai mund të përballet me një dënim maksimal prej 2,352 vitesh burg, raportojnë mediat ndërkombëtare.
Imamoğlu, i cili ndodhet pas hekurave prej gati 8 muajsh pasi u arrestua dhe u pezullua nga detyra në mars, shihet gjerësisht si një nga rivalët më seriozë politikë të presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.
Në një akt-akuzë prej afro 4 mijë faqesh, prokurorët kanë renditur një sërë akuzash që variojnë nga drejtimi i një organizate kriminale dhe ryshfeti, deri te përvetësimi i fondeve publike, zhvatja dhe manipulimi i tenderave.
Imamoğlu, nga partia opozitare CHP, ndodhet aktualisht në paraburgim për akuza korrupsioni, ndërkohë që po vuan edhe një dënim të veçantë prej 1 viti e 8 muajsh për fyerje dhe kërcënim ndaj Prokurorit të Përgjithshëm të Stambollit.