‘Enciklopedia’ s’u tërhoq kurrë

Në një intervistë të dhënë për gazetën ditore maqedonase ‘Utrinski Vesnik’ ka theksuar se ‘Enciklopedia Maqedonase’ asnjëherë nuk është tërhequr nga tregu, por vetëm është bërë ndali i përkohshëm i shpërndarjes së një pjese të tirazhit të saj.
Akademiku ultranacionalist maqedonas madje thekson se ai nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga kjo enciklopedi, sepse ajo, sipas tij, ka marrë mbështetjen dhe ka qenë e pranueshme për shumicën e popullatës - përkundër përmbajtjes fyese për shqiptarët dhe bashkësinë ndërkombëtare.
“Kjo enciklopedi mbetet një prej projekteve më të mëdha dhe më serioze shkencore të Akademisë së Shkencave dhe Arteve Maqedonase, të cilin në formë të shkruar e kam nxitur që ta nisim që nga viti 1999, ndërkohë që fillimi i punës ka nisur nga viti 2002. Edhe atëherë kjo punë nuk ka pasur lidhje me asnjë parti politike”, theksoi akademiku Ristovski për ‘Utrinski Vesnik’.
Sipas tij, ishte Qeveria e kryeministrit Gruevski ajo që i siguroi mjetet për të mbështetur këtë libër shkencor.
“Në vjeshtën e vitit 2005, Gruevski ishte për vizitë tek ne, dhe aty u shtrua çështja e mjeteve financiare. Unë i shpjegova se kemi ndërmend të përgatisim një version të shkurtër të enciklopedisë, ndërsa ai na e siguroi ndihmën financiare menjëherë pasi që u bë kryeministër. Paraprakisht, ne i patëm lutur të gjithë ish-kryeministrat, por ata vetëm na jepnin premtime”, sqaroi ish-kryeredaktori i ‘Enciklopedisë Maqedonase’.
Sipas Ristovskit, gjysma e mbetur e tirazhit të kësaj enciklopedie aktualisht ndodhet hapësirat e shtëpisë botuese Skenpoint, prej nga së shpejti pritet lëshimi i tyre në treg.