E Shtunë, 31 Tetor 2026

‘Fenomeni’ lufton mbipeshën

Legjenda e futbollit brazilian, Ronaldo është duke luftuar me mbipeshën. Pasi e la futbollin, ‘Fenomeni’ ka shtuar peshë dhe tash peshon 118 kilogramë. Ai ndihet i lodhur, por synon ta kthejë peshën e rekomanduar falë një emisioni argëtues, i cili do të fillojë në fundjavë. Ish futbollisti i PSV-së, i Barcelonës, i Interit, i Real Madridit e i Milanit dëshiron të jetë shembull për sportistët në Brazil.

Luis Nazario Da Lima, më mirë i njohur si Ronaldo, e ka humbur përfundimisht luftën me peshën. Njëri prej futbollistëve më të mirë në histori të futbollit, i cili u pensionua dy vjet më parë, është në mbipeshë.

Sot ish futbollisti i PSV Eindhoven, i Barcelonës, i Interit, i Ronaldos, i Milanit dhe i Corinthiansit peshon 118 kilogramë. Në fund të karrierës, ‘Fenomeni’ kishte shtuar peshë gradualisht dhe e kishte të vështirë ta hiqte atë.

“Kam frikë se mund të trashem edhe më shumë. Që kur e kam lënë futbollin, nuk jam marrë më me asnjë aktivitet fizik. Për 20 vjet kam qenë një sportist i nivelit të lartë dhe kjo kërkon sakrifica të mëdha. Më pas e kam pasur një periudhë me pushim absolut. Trupi im është ndalur. Lodhem shumë dhe ndiej dhimbje, kualiteti i jetës sime në dy vjetët e fundit është keqësuar dukshëm. Kam vështirësi të këndellem pas çfarëdo pune”, deklaroi Ronaldo në një intervistë për televizionin brazilian TvGlobo.

‘Topi i Artë’ i vitit 1997 megjithatë e ka ndërmend të punojë që të rikthehet në formë, pasi dëshiron të jetë shembull për sportistët tjerë.

“Për momentin jam i mposhtur. Por, dua t’ia demonstroj tërë Brazilit që sporti të ndihmon të ndihesh mirë. Jeton shumë më mirë nëse praktikon aktivitet fizik. Unë mund t’ia dal. Kur t’ia vë vetes një objektiv, jam i gatshëm të jap gjithçka për ta arritur atë. Do të përgatitem për t’u përballur me këtë sfidë të madhe”, vazhdoi ish përfaqësuesi brazilian.

Ndërkohë, Ronie do ta nisë një emision argëtues kundër humbjes së peshës, i cili do të ndihmojë që të dobësohet. Ky ‘reality-show’ do të fillojë këtë fundjavë dhe do të zgjasë tre muaj.

“Ndoshta nëse nuk do ta kisha presionin e të gjithëve, të cilët do më përkrahin të humb peshën, nuk do të isha i aftë ta bëja një gjë të tillë. Do të punoj shumë, do të jem këmbëngulës dhe nuk do të dorëzohem derisa ta arrij peshën e rekomanduar. Dua që njerëzit të inspirohen nga unë”, shtoi 36 vjeçari.

Marcio Atalla, i cili do ta vëzhgojë progresin e programit, thotë se Ronaldo është zgjedhur për pjesëmarrës, sepse është i famshëm dhe mund të ndikojë te të tjerët.

“Ne duam të tregojmë se njerëzit nuk duhet të qëndrojnë duarkryq. Ju ndoshta mund të keni aktivitete fizike, por nëse ndalesh dhe fillon stil të ri të jetës, më pas trupi juaj nuk do të reagojë më njëjtë. Këto mësime do t’ju mbajnë në formë dhe do t’ju tregojnë se si duhet t’i praktikoni dhe t’i bëni rutinë të përhershme ushtrimet”, përfundoi Atalla.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›