E Shtunë, 31 Tetor 2026

E bënë mysliman

Mediat iraniane e kanë montuar një fotografi të Cristiano Ronaldos, në të cilën shihet ylli portugez i Real Madridit duke e përkrahur Islamin dhe duke e kundërshtuar filmin amerikan anti-islamik “Pafajësia e myslimanëve’. Mirëpo, pas një kohe u zbulua se gjithçka ishte ‘photoshop’ dhe se në fotografinë origjinale shihet ‘CR7’ në fushë.

Ylli botëror i futbollit, Cristiano Ronaldo admirohet pothuajse nga të gjithë për stilin e lojës së tij, por edhe për pamjen. Si lojtar i Real Madridit dhe kapiten i përfaqësueses së Portugalisë, ai është në qendër të vëmendjes për çfarëdo që bën.

Së fundmi, një fotografi e montuar e tij ka treguar se ai nuk ka nevojë të bëjë asgjë, duke gjeneruar tituj të ndryshëm nëpër gazeta dhe në media në përgjithësi.

Mediat iraniane, të cilat jetojnë duke u marrë me ‘revolucionin eksportues’, së fundmi e kanë postuar një fotografi ku shihet Ronaldo duke e mbajtur një pikturë, në të cilën shkruan: “Nuk ka Zot, por Allah”, njofton ueb faqja ‘The Christian Telegraph’.

Kjo fotografi është publikuar edhe në të përditshmen libaneze Al-Diyar. “Shumë aktivistë në Facebook e kanë shpërndarë fotografinë, ku shfaqet Cristiano Ronaldo duke e mbajtur një suvenir me shkronja arabe, ku i përgjigjet filmit anti-islamik”.

Pas disa ditësh, fotografia e lojtarit u përhap në rrjetet sociale Twitter e Facebook, duke u konsideruar si mbështetëse e Islamit dhe kundërshtare e filmit të fundit kontrovers amerikan “Pafajësia e myslimanëve”.

Sidoqoftë, vetëm pas pak ditësh u zbulua se fotografia ishte ‘photoshop’, sepse fotoja origjinale shfaqte Ronaldon në fushë e jo me shkronja arabe për Islamin. “Lajmi është përhapur përmes medieve iraniane”, thotë Saman Kamvar, botues i agjencisë iraniane të krishterë Mohbat News, e cila është njëra prej më të informuarave për rastin.

Kamvar, i cili banon në Toronto, thotë se solidariteti i Ronaldos me myslimanët rreth filmit për të cilin po flitet së pari bëri ‘bum’ në Iran dhe më gjerë, por më pas u hodh poshtë nga klubi i gazetarëve të rinj i vendosur në Iran.

Të premten që shkoi e përditshmja libaneze Al-Diyar po ashtu e kishte publikuar këtë fotografi, e cila më pas u përhap në mediat sociale dhe në ueb faqe të ndryshme, ku përshëndetej gjesti i futbollistit portugez në mbrojtje të filmit anti-islamik.

Por, shumica e atyre që e përhapën këtë fotografi nuk kanë qenë të vetëdijshëm se janë në qendër të vëmendjes së krejt botës. Fotografia e rregulluar së pari ishte parë në forumet arabe dhe në ueb faqe të ndryshme të këtij vendi në qershor, ndërsa më pas u përhap lajmi se Ronaldo ishte konvertuar në Islam. Myslimanët janë tejet të mllefosur me filmin e ri ‘Pafajësia e myslimanëve’, ku përqeshet profeti Mohammed.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›