‘Gjarpri i shtëpisë’ botohet në Bullgari

Përkthyer bullgarisht nga Janka Selimi, një emër tashmë i njohur edhe në lëmin e përkthimeve artistike të literaturës ballkanase, romani i Lekës është bërë pjesë e serive të botimeve Small Stations Press në Sofje, drejtuar nga shkrimtarët Jonathan Dunne dhe Tsvetanka Elenkova, duke u përfshirë gjithashtu në rrjetin e programit të komunikimit të kulturave ballkanase, titulluar Traduki.
“Një roman midis fantazisë dhe prozës politike. Mistika e librit është një metaforë për shembjen e jetës shqiptare, që humbet midis brezave dhe kohës. E shkuara është gjithë fajësi, e tashmja është një purgator, ndërsa e ardhmja është mishërim i një shtëpie të verbërish. Një histori e dëshpëruar mbi kolapsin post-totalitar të shpirtit, i cili ngatërron rrugën si ngjalë në një labirint të përbërë nga lumenj të nëndheshëm”, ka shkruar botuesi bullgar në kopertinën e librit për lexuesin e vendit të tij.
Romani “Gjarpri i shtëpisë” në botimin shqip ka njohur 4 ribotime, si dhe ka merituar shumë vëmendje të lexuesit dhe kritikës letrare.
Ky roman u paraqit për lexuesit në Panairin e Librit në Sofje, ndërkohë që i përkthyer nga Milena Ibro do të botohet gjatë vitit 2012 edhe në gjuhën italiane nga shtëpia botuese “LiberiLibri”.