E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oscari i Orson Welles në ankand

Shpërblimi Oscar, i cili i është dhënë regjisorit amerikan Orson Welles për filmin e tij ‘Citizen Kane’, do të dalë në ankand në Los Angeles në fund të këtij muaji.

Statujëza prej ari, të cilën Welles e fitoi për skenarin më të mirë në vitin 1942, pritet të arrijë shumën deri në një milionë dollarë.

Pavarësisht nga disa nxirje në këmbë, Oscari, sipas shtëpisë së ankandeve Nate D Sanders, është ‘tërësisht në gjendje të mirë’

Kjo është hera e dytë që ky Oscar vihet në ankand, pasi dështoi të shitet në vitin 2007.

Shpërblimi në vetvete ka pasur një histori piktoreske – Welles besonte se e kishte humbur atë, por doli në sipërfaqe pas vdekjes së tij kur u vu në ankand në vitin 1994 nga një kinematograf, i cili pohonte se filmbërësi ia kishte dhënë atij në formë të pagesës.

Vajza e Welles, Beatrice e paditi atë dhe e fitoi të drejtën e pronësisë së Oscarit, por edhe ajo u padit nga Academy of Motion Picture Arts and Sciences – e cila i jep shpërblimet – kur ajo tentoi ta vejë në ankand në vitin 2003.

Në një urdhëresë për të ndaluar shitjet publike, akademia paraqiti një marrëveshje në vitin 1950 që i ndalonte fituesit nga shitja e Oscarëve të tyre ndokujt tjetër përpos akademisë për shumën formale prej një dollari.

Pas një beteje ligjore, Beatrice Welles e fitoi të drejtën për ta shitur statujën e vogël dhe ia shiti një fondacioni amerikan të bamirësisë, i cili tentoi, pa sukses, ta vejë në ankand në Sotheby's në New York në vitin 2007.

Megjithëse ‘Citizen Kane’ u nominua për skenarin më të mirë, regjisorin më të mirë dhe për aktorin më të mirë për Welles, skenari më i mirë ishte i vetmi Oscar me të cilin u shpërblye ai gjatë tërë jetës së tij.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›