‘Kreativ’ në hapësirë të dytë
Një kafe-librari, me shumëçka brenda vetes, po hapet në Mitrovicë. Ndonëse emri “Këndi Kreativ 7 Arte” nuk është i ri për mitrovicasit, kësaj radhe hapet në një hapësirë të re, një hapësirë kjo që do të mundësojë aktivitete të vazhdueshme kulturore nga të rinjtë dhe për të rinjtë.
Adresë e "Këndit Kreativ 7 Arte" tash e tutje do të jetë kati i 6’të i objektit të ish-OSBE’së në Mitrovicë. Ky është një vendtakim i hapur për të rinjtë, që të mund të diskutojnë dhe zhvillojnë idetë e tyre të reja, ashtu që të bëjnë ndryshime pozitive në shoqëri, qoftë në nivel lokal apo atë global.
Sipas Nora Prekazit, nga 7Arte, qëllimi i krijimit të kësaj hapësirë që nga fillimi ishte ofrimi i një hapësire më të madhe të rinjve të qytetit. “Do t’iu ofrojmë një hapësirë më ndryshe, një hapësirë të mbushur me libra, në të cilën për çdo javë do të ketë aktivitete me interes për ta. Do të ketë edhe filma, debate, ekspozita, net poetika dhe shumëçka tjetër”, sqaron Prekazi.
Prekazi po ashtu thekson se kjo hapësirë ka ekzistuar edhe më parë, dhe se në kuadër të saj janë zhvilluar aktivitete të ndryshme kulturore.
“Ndërsa, tani kemi arritur të krijojmë një kënd kreativ i cili do të shërbejë si njëlloj kafe-librarie dhe si një hapësirë kulturore për aktivitetet që janë zhvilluar më edhe më parë, por edhe për ato që zgjojnë interesimin e të rinjve”, thotë ajo.
Tani, Këndi Kreativ ka një hapësirë prej 120 metrash katrorë, dhe një tarracë, të dizajnuar për takimin e të rinjve, ashtu që ata të mund të shprehin idetë dhe talentet e tyre. Në Këndin Kreativ do të
organizohen edhe diskutime grupore, shfaqje të filmave, ligjërata net poetike, ekspozita të artistëve vendorë, performime muzikore dhe ekspozita arti, ndonëse hapësira do të jepet në shfrytëzim edhe për ngjarje më të vogla kulturore.
Sipas Prekazit, për hapësirën e dytë janë motivuar nga të rinjtë, duke e parë interesimin e tyre.
“Interesimi tyre na ka motivuar, andaj kemi vazhduar punën që të sigurojmë një hapësirë të dytë. Besoj se projekti do të ketë sukses dhe se do të lë mbresa tek qytetarët dhe të rinjtë”, nënvizon ajo.
Ceremonia e hapjes do të mbahet të premten, më 7 tetor me fillim nga ora 18, dhe në të janë ftuar edhe shumë mysafirë dhe përfaqësues të mediave. Që prej dy vjetësh, 7Arte, në bashkëpunim me Blackbirds Library, ka operuar me bibliotekën, me më mbi 600 libra në gjuhë të ndryshme. Po kjo bibliotekë tani do të jetë në dispozicion të mysafirëve të Këndit Kreativ. Për më tepër, Ambasada franceze në Kosovë për Këndin Kreativ do të dhurojë një numër të konsiderueshëm librash në gjuhën frënge.
Qendra Këndi Kreativ do të lejojë që vizitorët të reflektojnë dhe të jenë të frymëzuar me ide kreative, e nga ana tjetër, personeli i 7Arte do t'i ndihmojë ata që të zhvillojnë projekt-propozimet e tyre.
Këndi Kreativ përpiqet që të paraqesë veprat më të fundit, të cilat reflektojnë me një shumëllojshmëri të zhvillimeve artistike që ndodhin në vend dhe në nivel kombëtar.
Ndryshe, Këndi Kreativ të jetë i hapur për publik nga dita e shtunë, më 8 tetor, si ditëve në vijim, duke filluar që nga e hëna e deri të shtunën, nga ora 10-22.