Paniku moral rus

Një përfaqësues i lartë i Kishës Ortodokse Ruse, ndërkaq, i bëri thirrje shtetit që të hetojë dhe ndalojë librat e shkrimtarëve Vladimir Nabokov dhe Gabriel Garcia Marquez, për shkak se në to promovohet pedofilia.
Secili religjion i organizuar herët a vonë vjen në një situatë kur do të lexojë edhe ndonjë libër tjetër, përveç atyre që konsiderohen të shenjta, gjë që shpesh mund të nxis irritimin e ‘nervave fetare’, në veçanti kur të bëhet fjalë për librat e shkruar shumë më mirë se Bibla.
Kështu, Vatikani me shekuj të tërë ka pasur një indeks të librave të ndaluar, ndërkohë që myslimanët besojnë se secila fjalë në Kur’an në fakt është fjalë e drejtpërdrejtë e Zotit. Paralelisht, mediat botërore njoftojnë se kryeveprat e letërsisë moderne botërore kanë shkaktuar një panik të vërtetë morale në Kishën Ortodokse Ruse.
Në një intervistë të paradokohshme radiofonike, zëdhënësi i Patrikanës së Moskës, Vsevold Chaplin, deklaroi se shteti rus duhet t’i hetojë, e pastaj edhe t’i ndalojë romanet “Lolita” të Vladimir Nabokov, dhe “Njëqind Vjet Vetmi” të Gabriel Garcia Marquez. Prifti Chaplin - i cili duket se ka lexuar dy romanet e apostrofuar të shkrimtarëve Nabokov dhe Marquez - e tëra që ka kuptuar nga dy veprat e tyre është se ato e arsyetojnë pedofilinë.
Chaplin nuk ka sqaruar detajisht se si do të duhej të kryhej hetimi policor që e kërkon, e as nëse policia moskovite duhet ta ftojë në një bisedë informative Humbert Humbert’in dhe gjithë familjen Buendi, dhe nëse ata nuk i përgjigjen ftesës, pastaj të ekshumojë mbetjet e Nabokov dhe të shpallë një fletarrestim për Marquez. Por, ai nuk hezitoi të jepte një prononcim për agjencinë ruse Interfax, duke theksuar se librat e tyre “i romanizojnë epshet perverse, të cilat njerëzit i bëjnë të palumtur”, dhe, si përfundim thotë se “është e qartë që popullarizimi i këtyre romaneve nuk do ta bëjë shoqërinë tonë moralisht më të lumtur”.
Idenë e zëdhënësit të Patrikanës së Moskës e kundërshtoi i deleguari i Kremlinit për bashkëpunim kulturor ndërkombëtar, Mihail Shvidoki, i cili konsideron se një hetim policor ndaj Nabokov dhe Marquez do ta rrezikonte seriozisht imazhin e Rusisë.
Në këtë kontekst, gazeta britanike ‘The Guardian’ përkujton se Kisha Ortodokse Ruse gjithnjë e më tepër po tenton të ndikojë në rrjedhat shoqërore ruse, dhe t’i kontrollojë ato.
Kisha lavdërohet se ka 100 milionë besimtarë në Rusi, megjithëse anketat tregojnë se vetëm pesë përqind e rusëve vërtet besojnë në religjionin e tyre. Në fakt, duhet përkujtuar edhe në atë se Vladimir Nabokov, një rus ku që pas Revolucionit të tetorit iku në Perëndim, nuk e kishte fatin që opusi i tij letrar të botohej në ish-BRSS. Madje, ky i fundit gjithë veprimtarinë e tij e shpalli si pornografike, dhe e ndaloi atë.